Home LIFESTYLE Në gusht angazhohen punëtorët e parë në Zonën Ekonomike të Tetovës

Me nënshkrimin i marrëveshjes investuese mes kompanisë amerikane LEAR dhe Qeverisë së Maqedonisë javën e kaluar janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore dhe është hapur rruga e investimit të gjigandit të prodhimit të pjesëve për automobila në Zonën e lirë ekonomike të Tetovës. Kompania amerikane kryesisht merret me prodhimin e ulëseve për automobila, por edhe aksesorëve tjerë shoqërues. Drejtori menaxhues i NORMAK-ut, kompani e cila menaxhon me këtë zonë, Arben Halili, thotë se investimi amerikan do të jap edhe efektet konkrete në zhvillimin e ekonomisë vendore.

“Me nënshkrimin e kontratës janë përmbushur të gjitha kushtet formalo-juridike në aspekt të përmbylljes së kësaj kontrate. Ky investim shumë shpejtë do të japë edhe efektet e para me angazhimin e punëtorëve në fazën e parë, gjë që pritet të ndodhë në pjesën e dytë të muajit gusht, kur kompania LEAR së pari do të fillojë të funksionojë në Gostivar dhe pasi të përmbyllet procesi i ndërtimit të objektit, do transferohen në Zonë gjatë vitit 2016″, thotë Halili. Ai më tej thekson se me fillimin e procesit të punës, sigurisht që efektet do jenë pozitive në aspekt të uljes së papunësisë në rajonin e Pollogut. “Deri në fund të vitit planifikohet të punësohen prej 200 deri në 300 punëtorë, kurse me transferimin në Zonën e lirë ekonomike në Tetove, numri i të punësuarve do arrijë shifrën e 2.500″, nënvizon Halili. Jo vetëm në sferën e punësimeve do të ketë efekte ky investim, por edhe në zhvillimin e ekonomisë duke hapur punë për kompanitë vendore për sigurimin e lëndës së parë. “Investimi i LEAR-it patjetër që do paraqesë një impuls pozitiv në zhvillimin ekonomik përfshirë edhe atë lokal. Me rritjen e punësimit në Pollog do të kontribuohet në aspekt të përmirësimit të kushteve ekonomike të shumë familjeve, por poashtu efekte pozitive do ketë edhe për kompanitë lokale të cilat mund të paraqiten si sub-kontraktore, respektivisht me furnizimin e lëndës së parë por edhe të elementeve shtesë të nevojshme për punën e kompanisë LEAR. Kjo paraqet edhe një prej objektivave të kompanisë sonë NORMAK që përpos uljes së papunësisë në rajonin e Pollogut, poashtu të kontribuojmë edhe në krijimin e urave të bashkëpunimit në mes investitorëve të huaj në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë dhe kompanive vendore”, thekson Halili.

Sipas tij, me fillimin e punës së kompanisë LEAR është normale që të pritet një trend edhe më dinamik në aspekt të tërheqjes së investitorëve të huaj në Zonën e lirë ekonomike në Tetovë, edhe pse deri më tash janë nënshkruar katër kontrata të formalizuara dhe shumë shpejt do të fillojnë punët ndërtimore në zonë për të gjitha kompanitë me të cilat NORMAK ka kontrata të nënshkruara. “Zgjedhja e Zonës së lirë ekonomike në Tetovë nuk është e rastësishme. Së pari është aspekti infrastrukturorë i disponueshëm në Zonë, poashtu edhe qasja direkte në infrastrukturën rrugore është shumë e lehtë. Së dyti, niveli i shërbimeve që ofrojmë si NORMAK është i pranueshëm për të gjithë investitorët, për më tepër që ne jemi Zona e parë dhe e vetme deri me tani e ndërtuar sipas konceptit të partneritetit privato-publik”, deklaroi ai. Sipas Halilit, kjo paraqet poashtu një arsye shtesë se pse LEAR vendosi për Tetovën. Një segment shumë domethënës, sipas tij, është poashtu edhe fuqia punëtore e kualifikuar si edhe përvoja e mëhershme e këtij rajoni me veprimtari të njejtë. “Për ne çdo investim është i rëndësishëm, por sigurisht që kur investimi është amerikan kjo ka rëndësinë e vet. E para sigurisht për shkak të vet peshës që ka një investim i tille dhe se dyti poashtu edhe për shkak të vëllimit të investimit që do realizohet”, deklaron Halili.

Realizimi i një investimi të këtillë në Tetovë nga një kompani prestigjioze amerikane flet shumë edhe për pozicionin strategjik të vet Zonës së lirë ekonomike në Tetovë, duke patur qasje të lehtë në infrastrukturën rrugore por edhe afërsia me kufijtë dhe portet detare Durrës, Shëngjin dhe Selanik, ndërsa kjo njëkohësisht do të shërbejë edhe si një motiv plotësues edhe për investitorët tjerë me të cilët ne jemi tashmë në negociata por edhe për investitorët e rinj, përfundon drejtori menaxhues i NORMAK-ut, Arben Halili.