Home LAJME Naser Selmani edhe një mandat në krye të SHGM-së, Semi Mehmeti ka...

Naser Selmani mbetet edhe katër vitet e ardhshme kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë. Me 154 vota të fituara ai ka marrë sërish besimin e gazetarëve për të udhëhequr SHGM-në edhe më tutje, në një periudhë kur gazetaria në Maqedoni po përballet me problemet me të mëdha që nga pavarësimi i Maqedonisë. Kundërkandidat i Selmanit ishte gazetari i mirënjohur Semi Mehmeti.Naser Selmani fitoi edhe një mandat të ri për kryetar të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë. Në mandatin e ri, Selmani bëri të ditur se njëri prej prioriteteve do të jetë çështja e fushatave qeveritare, përmes të cilave financohen media të caktuara, e që duhet të realizohen në mënyrë transparente, derisa prioritet i dytë do të jetë dekriminalizimi i shpifjes. Por, kryesore mbetet beteja për liri për gazetarin Kezharovski.

Për Selmanin votuan 154 anëtar të shoqatës derisa kundërkandidati i tij Semi Mehmeti, nga portali Almakos fitoi 21 vota.

“Kam vërejtje për punën katërvjeçare të Naser Selmanit, siç ishin negociatat me pushtetin dhe mendoj se ato do të duhej të ndërpriten menjëherë. Derisa pushteti ynë burgos dhe dënon, dhe thuajse çdo ditë ka padi për gazetarët”, tha Semi Mehmeti, gazetar.

Një pjesë e gazetarëve bënë të ditur se duhet të gjendet mënyrë për ta kthyer dinjitetin e profesionit të gazetarit.

“Me përvojën 35 vjeçare si gazetar në disa momente turpërohem që jam gazetar. Në profesionin gazetaresk kanë hyrë gazetarë të tillë – të vetëquajtur, që punojnë në tezga, që e pështynë profesionin tonë, gazetarë që totalisht e devalvuan profesionin tonë dhe gazetarë që kontribuuan të jemi objekt talljeje për opinionin”, u shpreh Mende Mlladenovski, gazetar.

Përveç kryetarit të SHGM-së, sot u zgjodhën edhe anëtarët e Këshillit drejtues, mbikëqyrës dhe anëtarë të Këshillit të nderit./Alsat-M