Home LAJME Mustafa: Unë kryeministër

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj nuk kanë mundur të bindin njëri-tjetrin se cili do të jetë kandidat përfundimtar i koalicionit pas zgjedhor për Kryeministër të Kosovës.

Mustafa dhe Haradinaj bashkë edhe me liderët e Vetëvendosjes dhe Nismës, kanë diskutuar më shumë se një orë e gjysmë për rishikimin e marrëveshjes së Bllokut, por nuk kanë arritur te një marrëveshje e re.

Pas takimit, i vetmi që ka folur ishte lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai tha se në takimin e liderëve, Isa Mustafa e ka paraqitur kërkesën e LDK-së për udhëheqje të Qeverisë, por bëri të ditur se ai i qëndron besnik parimeve të marrëveshjes së 10 qershorit, që parashikon që kreu i AAK-së të jetë kandidat për kryeministër.

“E para, zoti Isa Mustafa nuk do, ose nuk ka thënë do, por partia, Lidhja Demokratike e Kosovës ndihet e dëmtuar në marrëveshje. S’kemi diskutua deri në këtë shkallë të ndërrohemi njëri me tjetrin. Unë mendoj se marrëveshja e 10 qershorit e ka shpjeguar se në çka bazohet. Pra unë kam kërkuar që të vazhdohet me këtë marrëveshje”, u shpreh Ramush Haradinaj.

I pari i AAK-së shpreson që Blloku të mund të arrijë pajtueshmëri mes vetes deri në fillim të javës së ardhshme.

“Nuk e di saktë të them të drejtën, por shpresoj nga e hëna apo e marta. Ne na duhet edhe ashtu të takohemi për të diskutuar për përgatitjet për seancë”, shtoi Haradinaj.

Haradinaj ka përsëritur sërish deklaratën e tij që e ka bërë me elektoratin në Deçan se, kushdo që përpiqet ta largojë nga kandidatura për kryeministër, do të dalë humbës.
/ Top Channel