Home LAJME Mustafa: Gjakova është qyteti i dinjitetit, i krenarisë dhe i dhimbjes

“Gjakova është qyteti i dinjitetit, i krenarisë dhe i dhimbjes, prandaj meriton të fitojë mundësi për zhvillim”, tha kryetari Mustafa në takimin hapës të Degës së LDK-së në Gjakovë.

Mustafa tha se Gjakovës duhet t’i kthehet dinjiteti, krenaria e mundësia e zhvillimit dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse gjakovarët më 3 nëntor përcaktohen për njerëz që kanë parti, qëndrueshmëri politike dhe që kanë prapa struktura që do ta qeverisin Kosovën. ”Ky është kryetari i ri i Gjakovës, Luan Gola. Ai do ta ketë mbështetjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila shumë shpejt do ta marrë mandatin për qeverisjen e krejt Kosovës”.

Mustafa u shpreh i bindur se kësaj radhe Komunën e Gjakovës do ta fitojë ekipi që udhëhiqet nga Luan Gola. LDK-ja, sipas tij, do të jetë e përgjegjshme dhe e përkushtuar për t’ua kthyer gjakovarëve kontributin që ata e kanë dhënë për Kosovën në të gjitha aspektet.

“Kam bindjen se këtë vit Gjakova do të bëjë ndryshime të mëdha, me njeriun që e kemi kandidat për kryetar të Gjakovës, i cili po tregohet i gatshëm dhe i përgjegjshëm për besimin që do ta marrë. Ju garantoj se do të punojmë bashkë, do ta qeverisim Kosovën ashtu siç duan qytetarët e Kosovës”, tha kryetari Mustafa.

Sipas tij, Gjakova meriton kujdes të qeverisë së ardhshme të Kosovës që të trajtohet si vend me traditë pune, për ta kthyer zhvillimin në Gjakovë.

“Ne do të angazhohemi që në Gjakovë dhe në krejt Kosovën të mos ketë njerëz tepër të varfër ose tepër të pasur, por tepër punëtorë, që jetojnë dhe krenohen me punën e tyre”, tha kryetari Mustafa, i bindur se LDK-ja po tregohet se është partia e parë në Kosovë, pratia më e organizuar, me marrëdhënie të brendshme demokratike, si dhe e përgjegjshme.

“Gjakova duhet të përcaktohet për njerëz që kanë parti, qëndrueshmëri politike dhe që kanë prapa struktura që do ta qeverisin Kosovën dhe kjo është LDK-ja”, tha kryetari Mustafa, duke u bërë thirrje gjakovarëve që t’u besojnë njerëzve të LDK-së dhe kandidatit Gola. Ai, sipas kryetarit Mustafa, do të punojë për interesat e qytetarëve e jo për interesa të grupeve ose klaneve të ndryshme.

Kandidati për kryetar të Komunës së Gjakovës, Luan Gola, ndërkaq, shpalosi projektin e tij për qeverisjen e ardhshme të komunës, duke theksuar se ajo përbën alternativën serioze të keqqeverisjes aktuale dhe menaxhimit abuzues me pushtetin, pronat dhe paranë publike.

“Platforma jonë i ka dy shtylla: mirëqeverisjen dhe zhvillimin ekonomik”, tha Gola, duke renditur projektet e parapara me planin e tij për të gjitha fushat e jetës.

“Kemi platformë për ringjalljen e Qarshisë së Vjetër, përmes lehtësimeve administrative dhe tatimore për aktivitetet e ndërmarrësve në këtë zonë të qytetit, në mënyrë që asaj t’i kthehet vitaliteti. Do t’i rishikojmë rregulloret komunale mbi taksat dhe tarifat, në funksion të krijimi të më shumë lehtësirave për bizneset dhe themelimin e fondit për garanci bankare, si dhe fond për iniciativat e bizneseve të të rinjve me normë kamate më të ulët se 5 për qind”, tha Gola.

Ai po ashtu theksoi se ka paraparë edhe krijimin e Forumit Biznesor mes bizneseve gjakovare dhe atyre nga diaspora. Më tej, Gola premtoi angazhim për ngritje të cilësisë së infrastrukturës shkollore, duke ndërtuar edhe shkollat në Ponoshec, Rogovë dhe Rekë, ndërtimin e terreneve sportive nëpër shkolla, përfshirjen në arsimin e obliguar të të gjithë fëmijëve, kurse për studentët gjakovarë premtoi nga 150 bursa për çdo vit.