Home LAJME ‘Miss Universe Albania’: Jemi një komb!

‘Miss Universe Albania’, Fjoralba Dizdari, ka folur rreth vendimit të saj për të mos marrë pjesë në spektaklin botëror të bukurisë, ‘Miss Universe 2013’.

Ashtu siç kemi raportuar edhe më parë, arsyeja për tërheqjen e bukuroshes shqiptare ishte moslejimi i përfaqësueses kosovare, Mirjeta Shala, të konkurrojë në finalen e më të bukurave, duke qenë se Rusia ende nuk e ka njohur shtetin e pavarur të Kosovës.

“Të dashur miq, si ‘Miss Universe Albania 2013’, dua të bëj publike sot mospjesëmarrjen time, në konkursin ‘Miss Universe 2013’, që do të organizohet më 9 nëntor, në Moskë, Rusi. Vendimi për këtë dorëheqje, erdhi si pasojë e veprimit që shteti rus nuk lejoi ‘Miss Universe Kosovën 2013’ të marrë pjesë në këtë eveniment, pasi nuk e kanë njohur Kosovën si shtet”.

“Shqipëria dhe Kosova kemi qenë dhe jemi një komb, kemi një gjuhë, një aspiratë, dhe për këtë arsye e ndjeva të drejtë, bojkotin e pjesëmarrjes sime në ëndrrën e ‘Miss Universit’, duke shpresuar pjesëmarrjen në kompeticionin e ardhshëm. Ju falënderoj përzemërsisht për mbështetjen tuaj. Sinqerisht, Fioralba Dizdari”, ka shkruar bukuroshja në Facebook.

Mospjesëmarrjen në ‘Miss Universe 2013’ e ka konfirmuar edhe Mirjeta Shala, e cila e ka falënderuar përfaqësuesen e Shqipërisë për mbështetjen që i dha.