Home LAJME Milloshoski në Tiranë, takim edhe me Ilir Metën

Zëvendëskryetari i Kuvendit dhe anëtar i Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të Procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore, Antonio Milloshoski, sot do të marrë pjesë në mbledhjen e grupit punues Ad-hok të Asamblesë parlamentare, i cili në suaza të kryesimit shqiptar, mbahet në Tiranë, Shqipëri.

Në takim, siç njoftoi Kuvendi, do të marrin pjesë anëtarët e Grupit punues, deputetë nga parlamentet e Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë, Rumanisë, Sllovenisë, Serbisë, Turqisë dhe Kroacisë.

Grupi punues do të debatojë për çështjet lidhur me procesin e institucionalizimit, siç janë sekretariati, buxheti dhe Rregullorja e Asamblesë Parlamentare.

Hap i rëndësishëm drejt krijimit të kushteve themelore për formimin e Asamblesë Parlamentare të Procesit, u arrit gjatë kryesimit të Maqedonisë me APEJL, në Konferencën e kryetarëve të parlamenteve, të mbajtur më 27 dhe 28 maj të vitit 2013, në Ohër.

Sipas programit, është paraparë që Milloshoski, të realizojë takim edhe me kryetarin e parlamentit shqiptar, Ilir Meta.