Home LIFESTYLE Microsoft, dyqan universal për aplikacionet

Dyqani del pak ditë para sistemit operativ Windows 10Microsoft ka nxjerrë dyqanin e tij universal të aplikacioneve, që mbledh Windows Store dhe Windows Phone Store në një qendër të vetëm tregtare. Kjo vjen para nxjerrjes së sistemit operativ Windows 10, parashikuar për më 29 korrik.

Duke kërkuar dyqanin për smartphone dhe tablet në web, do të drejtohemi në sektorin “Phone” të dyqanit të ri, ku është e pranishme dhe pjesa dedikuar Xbox. Pra, aplikacionet kanë të njëjtën filozofi si në Windows 10.

Dyqani i ri është i lehtë për të lundruar, me një shirit horizontal që mban aplikacionet falas dhe ato me pagesë që janë më të shkarkuarat. Nga faqja kryesore hyn në sektorët Windows dhe Windows Phone, ku mund të kërkosh për kategori, të shfletosh aplikacionet që kanë marrë më shumë votime, si dhe të shohësh zgjedhjet që Microsoft bën për përdoruesit.

Kjo ju sjell një eksperiencë të unifikuar edhe programuesve, në mënyrë që të krijojnë aplikacione si për kompjutera dhe për telefona. Por gjithashtu dhe përdoruesve që vlerësojnë karakteristikat dhe aplikacionet e Windows 10 në kompjuter mund të binden të blejnë një smartphone me të njëjtin sistem operativ. Aktualisht Microsoft ka vetëm 6% të totalit të tregut të smartphone, treg që ndodhet në dorën e Android-it të Google dhe iOS të Apple.