Home LAJME MEZH: Askujt s’do t’i falen borxhet ndaj KEK-ut

Qeveria e Kosovës nuk do t’ia falë asnjë qytetari borxhet ndaj KEK-ut, madje as serbëve për të cilët është përfolur para disa ditëve në media se do t’iu falen 125 milionë euro që ata ia kanë borxh KEK-ut.

Kështu ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli. “Nuk ka marrë kurrfarë vendimi Qeveria e Kosovës për faljen e borxheve për asnjë qytetar të Kosovës”, tha Ismajli për Rtk.

Sipas tij, KEDS-it i takon të merret me këtë problem, sepse kështu është bërë marrëveshja. “Në marrëveshjen e bërë me rastin e privatizimit, obligimet për mbledhjen e borxheve të vjetra i ka furnizuesi i ri”.

Ndërsa përfaqësues të kompanisë KEDS thonë se ata nuk janë pjesë e bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe nuk mund të komentojnë në lidhje më borxhe edhe për shkak të mungesës së informatave.