Home LAJME Metamorfoza e dronit

Lidhur me atë që ndodhi kohë më parë në stadiumin e Beogradit pata thënë botërisht se epilogu i aventurës së fshehtë ende nuk ka ardhur, çdo gjë do të shihet pas rezultatit të UEFA-së. Pa dyshim, bindja ime e thellë ishte se atë do ta shihnim të përshkallëzuar më vonë, mbase me hapat e tjerë që do të ndërmerren, pra atëherë kur Serbia do të përpiqet që gjithçka ta lidhë me flamurin e ISIS-it, domethënë me shqiptarët si një popull terrorist që po e kërcënojnë jo vetëm Serbinë, rajonin, Europën, por edhe mbarë botën, siç patën deklaruar njëzëri zyrtarët e shtetit serb.

Për fat të keq, nga dita në ditë kjo po na del si një prognozë e saktë. Me tërë atë propagandë të fuqishme që zhvilloi Serbia para ndeshjes së futbollit, por edhe pas veprimit barbar që tregoi në mes të stadiumit, tani është krejt afër mendsh se do të ecë edhe një hap më tej për ta shpalosur qëllimin e saj përfundimtar. Kështu, gjatë këtyre ditëve portali serb “Telegraf.rs” botoi një artikull në të cilin thuhet troç se ndeshja e ardhshme që duhet të zhvillohet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë në Elbasan ose në Shkodër, paraqet një rrezik për skuadrën serbe, jo nga lojtarët e skuadrës shqiptare, por nga organizata terroriste ISIS. Prandaj, sipas artikullit në fjalë, strukturat e sigurisë në Serbi e këshillojnë Federatën e Futbollit të Serbisë që t’i shmangen udhëtimit për në Shqipëri, sepse, siç thuhet në vazhdim të artikullit, mund të kërcënohet siguria e tyre, sidomos nga pjesëtarët e organizatës ISIS, e cila vepron fuqishëm në Ballkan.

Pra, miti i dronit të lëshuar mbi stadiumin e Beogradit, që u ngrit me furi aq të madhe nga ana e propagandës serbe, të shoqëruar edhe nga deklaratat e helmëta të zyrtarëve shtetërore serbë, ishte një paralajmërim i mynxyrshëm. Në të vërtetë, ajo e hapi rrugën për të dyshuar dhe menduar se shqiptarët përnjëmend na qenkan aq të rrezikshëm jo vetëm për Serbinë, por edhe për gjithë të tjerët kudo që jetojnë. Si rezultat i kësaj, edhe hapin që e hodhi portali “Telegraf.rs”, sigurisht është edhe një vazhdimësi drejt qëllimit të caktuar, një paralajmërim shumë konkret: pra identifikimi i shqiptarëve me ISIS-in. Pikërisht ky etiketim dhe satanizim është imperativ kryesor i Serbisë.

Duke u nisur nga kjo gjë, nuk është vështirë të kuptohet se me anë të luftës tinzare dhe të hapur që po zhvillon, ky shtet fqinj dëshiron që t’i rrënojë në themel të gjitha marrëdhëniet pozitive që i kanë vendosur shqiptarët me botën, thjesht për të ngjallur sa më tepër disponim negativ dhe për të krijuar armiq të përbetuar. Në radhë të parë, kjo është një porosi e drejtpëdrejtë për Vatikanin dhe Papa Françeskun i cili kohë më parë e vizitoi Shqipërinë duke e shpallur si një shembull të tolerancës dhe harmonisë fetare.

Tanimë, siç e kemi parë të gjithë, goditja e parë shqiptarëve u erdhi nga rezultati i UEFA-së që ia mori tri pikët Shqipërisë dhe ia dha Serbisë, sadoqë edhe zogjtë e malit e panë qartë se çfarë ndodhi atë natë në Beograd. UEFA, në vend se t’i ndëshkonte agresorët dhe terroristët e vërtetë, ajo krejt paturpësisht i dënoi të pambrojturit dhe viktimat. Nga ky akt më së miri mund të shihet dhe të kuptohet pozicioni i Serbisë dhe i Shqipërisë. Dhe kjo është për ta vënë gishtin në kokë.

Qysh më përpara, fjalët e kryetarit te UEFA-së, Mishel Platinit se çfarë do të ndodhte sikur në vend të dronit fluturues të ndodhej një bombë, si dhe ato të zëdhënëses së përfaqësues së lartë të Bashkimit Europian, Maja Kocijançiq, se autoritetet serbe treguan profesionalizëm në trajtimin e situatës, mbase dëshmojnë qartë për ndikimin djallëzor që Serbia kishte bërë me kohë nëpër institucionet ndërkombëtare. Thjesht, ata folën pikërisht sikur të ishin serbë dhe jo si zyrtarë që u përkasin organizatave të rëndësishme europiane. Gjithsesi, bota i dëgjoi me shumë vëmendje se çfarë deklaruan lidhur me këtë rast, por e keqja është se askush nuk mundi që t’i pengojë. Dhe, deshën apo nuk deshën shqiptarët, a priori uji ishte drejtuar drejt mullirit serb. Sipas kësaj del se vetëm naivët dhe kokëkrisurit e pandreqshëm nuk përpiqen ta kuptojnë realitetin e hidhur që po përplaset para syve të tyre. Prandaj, edhe shpresat se gjithçka do të marrë fund në favor të shqiptarëve, ngjanin mu si ato të Kandidit të Volterit.

Pas këtij grushti kaq të rëndë e të pabesë, dyshimet vazhdojnë të rriten aq më tepër dhe të na shpiejnë drejt faktit të hidhur se shqiptarët do të vazhdojnë të tronditen edhe nga shumë goditje të tjera. Natyrisht, kjo do të varet nga syçeltësia ose indiferenca e tyre. Në këtë kontekst, le të mos harrojmë se Serbia i ka vënë vetes për detyrë që të na shpjerë (nëpërmjet të ashtuquajturit flamur të Shqipërisë së Madhe me prapavijë të zezë) tek organizata famëkeqe ISIS, që rrengthi të na fusë në listën e popujve të rrezikshëm, përkatësisht si një kërcënim me përmasa planetare. E shqiptarët ende vrapojnë pas meritave patriotike se kush e ngriti i pari të ashtuquajturin flamur në Beograd dhe kush e mbrojti atë nga dora e fëlliqur serbe.

Zërat e mefshtë e të plogësht të zyrtarëve shqiptarë mezi po dalin nga rrethi i ngushtë partiak e pushtetor. Me sa duket, ende ngurrojnë të ndërmarrin ndonjë ofensivë të fuqishme për t’i çjerrë maskat serbe, duke e gënjyer mendjen se Serbia një ditë do të arrijë të ndërgjegjësohet dhe të heqë dorë nga kjo luftë e pacipë e shëmtake. Në këtë rast, më nuk është fare e rëndësishme loja dhe pikët, por hipoteka e përbindshme e ISIS-it që po ua ngjet shqiptarëve mu në ballë.

Kështu e shohim se si pëson metamorfozë droni i lëshuar nga kupola e kishës Shën Gabrieli, me të ashtuquajturin flamur kombëtar shqiptar. Por fatkeqësisht, ja që ende ka njerëz të atillë të cilët nuk duan të besojnë se karremi i serbëve përfundoi në gojën e shqiptarëve. Sipas gjasash, krenaria e zbrazët folklorike nuk po i lë ta kuptojnë të vërtetën prej së cilës varet fati i tyre në këtë botë të pamëshirshme.