Home LAJME Messi refuzoi ofertën 250 milionëshe

Rinovimi i kontratës së Leo Messit për të rivendosur balancën në merkato me Neymar që paguhet 17 milionë Euro dhe Cristiano Ronaldon që merr 18 milionë, me shumë gjasa do të finalizohet para 31 Dhjetorit dhe do të jetë me kushte të tilla që të pranohet pa teka nga një lojtar i këtyre përmasave, siç është argjentinasi. Sandro Rosell i njeh shumë mirë vlerat e këtij aseti shumë të çmuar që ka te Barcelona, fitues i 4 Topave të Artë dhe kandidati i vetëm favorit i blaugranave për të fituar sërish çmimin.

Messi veç golave i garanton skuadrës edhe kontrata publicitare unike dhe në këto kushte është normale për Rosell që paga e tij të arrijë në shifrën e 20 milionë Eurove në sezon. 3 ishin ofertat që mbërritën në adresë të argjentinasit gjatë merkatos, të treja të refuzuara, por “El Mundo Deportivo” zbulon shifrën me shumë zero të njërës prej tyre, që me të drejtë mund të ketë trazuar mjedisin blaugrana. Ishte plot 250 milionë Euro njëra prej ofertave, që në rast se do të ishte pranuar do të ishte një rekord sot në botën e futbollit, duke ia kaluar edhe blerjes 100 milionëshe të Bale nga Reali i Madridit, transmeton supersport.al.

Leo Messi në fakt as nuk denjoi t’i dëgjonte këto propozime, ai është i lumtur në Barcelonë, e do klubin dhe qytetin dhe as që e çon ndërmend largimin. Edhe katalanasit kanë nevojë për pleshtin atomik, i cili për shërbimet e tij shpërblehet me 16 milionë Euro. “El Mundo Deportivo”, e njohur për lidhjet e afërta me Barçën, e jep të sigurt lajmin, se Messi jo vetëm do të rinovojë para fundvitit, por mund të bëhet edhe lojtari më i paguar në botë. Shumë do të gëzohen nga një “happy end” i kësaj historie, por dikush tjetër mund të ndihet sërish i trishtuar dhe ky është portugezi i Los Blancos, Cristiano Ronaldo.