Home LAJME Megjashi arsyeton Ligjin për tredhjen e pedofilëve

Pedofilët që do ta përsërisin veprën do të tridhen kimikisht. Parlamenti miratoi ndryshimet e Kodit Penal të cilat parashikojnë përgjysmim të dënimit për pedofilët që kapen për kryerjen vetëm njëherë të kësaj vepre penale, dhe që do të kërkojnë vullnetarisht terapinë. Madje edhe atyre që do të dënohen me burgim të përjetshëm, nëse pranojnë tredhje kimike, do t’u ulet dënimi në 40 vjet burg. Sipas Ambasadës Megjashi, që mbron të drejtat e fëmijëve, këto ndryshime do të ndihmojnë si fëmijët ashtu edhe vetë pedofilët.

“Pedofili nuk mund ta kontrollojë epshin, dhe me trajtimin kimik të tredhjes, ai mund të ndihmojë veten që të mos e përsëritë veprën penale, të mos vuaj dënim të përjetshëm me burg, ose të mos i nënshtrohet tredhjes fizike siç është modeli çek. Atje nuk ka fëmijë, viktimë për herë të dytë nga pedofilia”, tha Dragi Zmijanac, drejtor i Ambasadës e Parë të Fëmijëve në Botë Megjashi.

Sipas ekspertëve për të drejtat e njeriut dhe ekspertëve ligjorë me aplikimin e tredhjes kimike, shkelen të drejtat e njeriut. Sipas tyre është shqetësues fakti që në politikën ndëshkuese për herë të parë, futet edhe droga.

“Nëse e hapim një herë derën, a do të thotë kjo se në të ardhmen edhe për vjedhje, për mashtrim, për vrasje apo për çdo forme të ndëshkueshme me kodin penal, do të kërkojmë droga për të trajtuar kriminelët. Gjyqësori askund nuk është i përsosur. Çfarë bëhet me njerëzit që janë të dënuar padrejtësisht dhe që në asnjë mënyrë nuk mund t’iu kompensohen dëmet që iu shkaktohen”, u shpreh Mirjana Najçevska, ekspert për të drejtat e njeriut.

“Mendoj se më aspektin kushtetues dhe ligjor, kjo masë nuk mund të zbatohet, sepse kjo masë ka lidhje direkte me personalitetin e njeriut, bëhet fjalë për integritetin psikik dhe fizik dhe është e pamundur pa lejen e personit konkret”, tha Osman Kadriu, Profesor universitar.

Me tredhjen kimike, pedofilët do të marrin vaksina të posaçme që do ta neutralizojnë epshin e tyre. Ata do e marrin terapinë në institucione të specializuara të kujdesit shëndetësor. Maqedonia është vendi i parë në rajon që fut tredhjen kimike. Mënyra të tilla tashmë ka në disa vende të botës, midis të cilave Britania e Madhe, Polonia, Rusia, Moldavia dhe Koreja e Jugut. Bojana Simonoviq