Home LAJME Matoshi: Shkëmbimi i territoreve me Serbinë i pranueshëm

Publicisti Halil Matoshi ka thënë se shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi do ishte i pranueshëm në aspektin human, mirëpo, sipas tij, nga një shkëmbim i tillë Kosova do të dilte humbëse.

“Nëse e shohim nga aspekti human, unë do të isha pro shkëmbimit të territoreve, sepse nga aspekti human, njerëzit janë mbi të gjitha, ndërsa nga aspekti pragmatik dhe ekonomik në këtë mundësi Kosova del e humbur, sepse nuk mund t’i rikthejë tri komunat në jug të Serbisë, sepse në dy prej tyre popullsia etnike shqiptare nuk është më shumicë, përpos në Preshevë, ndërkaq që tri komunat veriore të Kosovës janë me një shumicë absolute serbe”, ka potencuar Matoshi.

Sipas tij, shkëmbimi do të ishte i mundshëm vetëm nëse edhe Kosova edhe Serbia do të ishin dy vende me demokraci të zhvilluar dhe paqësore.

“Por aktualisht më duket si e pamundur, sepse kjo mund ta hapë “Kutinë e Pandorës” dhe ta rikthejë Ballkanin në vitet e nëntëdhjeta, në vijën e vendosjes, prandaj askush prej fuqive nuk është pro këtij solucioni. Beogradi nuk do të ishte në gjendje që të jepte tri komuna për t’i marrë tri, por do të synonte që të jepte vetëm Preshevën me disa fshatra për t’i marrë tri Komuna”, ka shtuar Matoshi.

E Zëvendëskryeministri në detyrë, Hajredin Kuçi, duke komentuar deklaratën e diplomatit rus Andrej Shugurov, ka thënë se vendimi më i drejtë që do të mundë të bëhej është njohja e Kosovës nga shteti rus.

“Vendimi më i drejtë do të ishte që Rusia ta njohë republikën e Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Përndryshe, diplomati rus në Prishtinë ditë më parë gjatë një interviste për gazetën “Zëri” është shprehur i bindur se minoritetet nuk kanë të ardhme në Kosovë, prandaj, siç ka thënë ai, shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte opsioni më i arsyeshëm për të dyja palët.

Sipas tij, përfshirja e komunave veriore në kuadër të Kosovës në vitin 1959 ka qenë artificiale, kështu që situata duhet të kthehet në mesin e shekullit të kaluar, kur Lugina e Preshevës ishte Kosovë, e pjesa veriore Serbi.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë për “Zërin” se kjo iniciativë nga ana ruse nuk është dhënë për të mirën e shqiptarëve.

“Bazuar në një maksimë që vjen nga Lufta e Trojës: “Mos i besoni grekëve edhe kur sjellin dhurata”, disi është vështirë të presim që kjo iniciativë është dhënë për të mirën e shqiptarëve. Në një takim që, vitin e kaluar kemi pasur me kryeministrin e atëhershëm të Serbisë, Ivica Daçiq, ai na ka thënë “bindni amerikanët ne jemi për ndërrime”, ka pohuar Kamberi, duke shtuar se opsioni që ofrojnë serbët zakonisht, nënkupton Preshevën pa dalje në autostradë dhe vetëm disa vendbanime të Bujanocit në zonën tokësore.

”Megjithatë një politikë mbarëkombëtare shqiptare do të ishte më kompetente për të dhënë një mendim zyrtar për këtë çështje”, ka thënë Kamberi.

Ai më tej ka thënë se duhet të punohet në krijimin e standardeve unike në nivelin e respektimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës me të drejtat e serbëve në Kosovë.

“Cilido që të jetë opsioni i fundit, mendoj se aktualisht duhet të punohet në krijimin e standardeve unike në nivelin e respektimit të të drejtave të shqiptarëve të Luginës me të drejtat e serbëve në Kosovë. Krijimi i situatave me pakica të privilegjuara, siç është rasti me serbët në Kosovë, besoj paraqet burim të jostabilitetit rajonal në të ardhmen”, ka përfunduar Kamberi./zëri/