Home LAJME Maqedonie e 64-ta për shkallë korrupsioni, Shqipëria e fundit

Organizata Transparency International ka publikuar sot Indeksin e perceptimit të Korrupsionit për vitin 2014. Sipas këtij indeksi, Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet shtete të rajonit, që ndodhen ende në zonën e kuqe të korrupsionit.

Shqipëria ndodhet në vendin 110, duke u ngjitur me 6 vende në renditjen e Indeksit të perceptimit të Korrupsionit, krahasuar me një vit më parë, kur vendi ynë ndodhej në vendin e 116. Përsa i përket Kosovës, për vitin 2014 ajo ka marrë 33 pikë, duke u radhitur në pozitën numër 110.

Shqipëria dhe Kosova janë të vetmet vende të rajonit që radhiten në “zonën e kuqe” të korrupsionit në të njëjtin grup me Ekuadorin dhe Etiopinë. Duke i krahasuar me vendet e tjera të rajonit Maqedonia ka pozitë më të mirë se pjesa tjetër, në vendin e 64-t. Më pas radhiten Mali i Zi në vendin e 76-të, Serbia në vendin e 78-të dhe Bosnja në vendin e 80-të.

Danimarka ka dalë e para me 92 pikë, ndërsa Koreja e Veriut dhe Somalia ndajnë vendin e fundit, me nga tetë pikë. Rëniet më të mëdha kanë qenë në Turqi me minus pesë pikë dhe në Angola, Kinë, Malavi dhe Ruandë me minus katër pikë.

Raporti pritet të prezantohet sot në Tiranë nga Transparency International Albania, për të nënvizuar sektorët që paraqiten si më të korruptuarit.