Home LAJME Luan Starova: Letërsia më ktheu në vendin tim

Në Tiranë u promovua vepra e shkrimtarit Luan Starova. Kompleti i librave të Sagës ballkanike përmban një lexim hermeneutik të Sagës ballkaniketë Luan Starovës, nga autori Fatmir Sulejmani. Më pas, romanet më të njohura “Librat e babait”, “Koha e dhive” dhe “Kurbani ballkanik”. Shkrimtari ndodhet në Tiranë si Autori i Vitit, i ftuar të qëndrojë në Shtëpinë e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë. Për shkrimtarin Luan Starova, e djeshmja ishte një ditë e rëndësishme në krijimtarinë e tij letrare. “Sepse e konsideroj si një kthim në vendin tim, që ma mundësoi vetëm fenomeni i letërsisë. Kthim në vendin tim, kthim midis familjarëve të dy degëve të një familjeje të cilave unë u takoj, e cila kishte fatin të gjindet jashtë vendit të vet dhe të kalonin gati 60 vjet larg”.

Luan Starova ishte vetëm 3 vjeç kur familja e tij u largua nga Shqipëria në vitin 1943. Ruajtja e kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës së tij dhe familjes, çka gjen shprehje edhe në letërsinë e Starovës si shkrimtar.

“Ky ekzil ka filozofinë e vet…nuk ka qenë as epik, as lirik e as sentimental, por ka qenë shumë i ashpër, shumë i egër. Nuk është manifestuar me një vuajtje fizike, mirëpo prapë ka qenë si të jetosh, të krijosh dhe ta konfirmosh identitetin tënd duke jetuar me identitetin e tjetrit. Kjo është një situatë mjaft komplekse, mjaft e ndërlikuar. Konkretisht, në rastin tim dhe të familjes sime ka qenë situatë edhe më delikate. Gjëja kryesore që kemi dashur ta mbrojmë ka qenë gjuha, doket dhe tradita, domethënë në një makrobotë mjaft të mbyllur, mjaft të izoluar, që nuk ka komunikuar me botën e jashtme”. Rrugëdaljen nga ky izolim, nga ky moskomunikim Luan Starova e gjeti përmes letërsisë. Deri në vitin 1997 autori kishte krijuar bazën për sagën e tij ballkanike me botimin e 4 romaneve: “Librat e Babait” (1992), “Koha e dhive” (1993), “Çelësi ballkanik” (1995) dhe “Muzeu i ateizmit” (1997). Vitet në vijim, nga 1997 deri më 2011sollën për shkrimtarin Luan Starova plotësim të sagës me tituj të rinj, të tillë si: “Dheu i mbjellë”, “Udha e ngjalave”, “Kështjella prej hiri”, “Erveheja, libri për një nënë”, “Dashuria e gjeneralit”, “Ambasadat”, “Ambasadat e reja”, pas të cilëve ai do e forconte truallin e tij letrar me romanet e radhës: “Ballkan babel”, “Jeniçerët”, “Polifonistët”, “Kthimi i dhive”.

“Unë personalisht gjatë gjithë jetës kam studiuar letërsinë, fenomenet e letërsisë, teoritë e saj dhe në moshën 50-vjeçare vendosa të filloj këtë sagë ballkanike, të cilën e kam shpresuar në vete dhe e kam konsideruar si një lloj kthimi nga vendi im, nga Shqipëria, nga gjuha dhe traditat e mia dhe këtë e kam bërë në një proces shumë të gjatë, gati 60-70 vjet. E kam krijuar gërmë pas gërme, fjalë pas fjale, tullë pas tulle duke ndërtuar këtë shtëpi të sagës ballkanike, e cila rrëfen për historinë e një familjeje shqiptare gjatë një shekulli që ballafaqohet me dramën historike të shqiptarëve, sepse ne kemi historinë ndoshta më dramatike në botë, me faza të ndryshme, mirëpo me një forcë mbijetese që rrallë e ka ndonjë popull, qoftë në Ballkan, qoftë në botë. Jam ballafaquar me një histori të tillë, që ta transmetoj në një vepër letrare dhe që njëkohësisht jep një lloj historie shqiptare. Për fat të mirë, ajo u pranua në botë dhe shumë kritikë e njerëz që interesohen për shqiptarët i kërkojnë këto vepra pa marrë parasysh në cilën gjuhë janë shkruar apo si janë shkruar, për ta e rëndësishme është se zbulojnë një botë. Qëllimi im ka qenë që unë t’i mendoj problemet kyçe të shqiptarëve dhe t’i transponoj në këto vepra letrare jo në mënyrën e historive apo romaneve historike të shek të19-të, të një narracioni të bazuar mbi faktet historike, disfatat, luftërat, gjakderdhjet dhe vrasjet, por thjesht të flas për një tjetër histori familjare dhe për këtë më ka shërbyer si të themi kjo bibliotekë imagjinare që e kam trashëguar nga babai. Domethënë, ky ka qenë një lloj institucioni që i ka të gjitha gërshetimet, të gjithë librat mbi fenomenet të cilat rrëfehen prej librit në libër, prej metafore në metaforë”, – tha shkrimtari Luan Starova në promovimin dje të kolanës së librave të “Sagës Ballkanike”. /Tema