Home LAJME LSDM-ja publikon skandale financiare të pushtetit

LSDM ka akuzuar se firma për sigurime “SGS”, gjatë vitit 2012-13 ka fituar miliona euro nga subjekte të ndryshme në vend. Sipas LSDM-së të dhënat nga Byroja për furnizime publike flasin se firma në fjalë nga themelimi i saj në vitin 2010 e deri në vitin 2013 ka arritur 28 marrëveshje me institucione të kontrolluara nga VMRO-DPMNE. Nga LSDM pyesin nëse pas kësaj firme qëndron kushëriri i kryeministrit Nikolla Gruevski, kreu i agjencisë së zbulimit dhe kundërzbulimit, Sasho Mijallkov dhe a është kjo arsyeja që institucione të shumta shtetërore të kenë nevojë për këtë firmë sigurimi?

“Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore, ka arritur së paku dy marrëveshje me SGS-në në vlerë prej 430 mijë euro dhe atë për sigurimin e pikave pagesore. Edhe kryetari i Shkupit ka ndarë tenderë me këtë firmë. Qyteti i Shkupit ka arritur dy marrëveshje me SGS në vlerë prej rreth 420 mijë euro. Edhe ministrja e kulturës nga VMRO-DPMNE, Kançevska Milevska gjithashtu ka ndarë bizeles për këtë firmë. Për sigurimin, monitorimin me video mbikëqyrje dhe mbrojtje të objektit “Porta Makedonija”, Ministria e Kulturës ka arritur marrëveshje në vlerë prej 33 mijë euro me firmën në fjalë, SGS”, tha Damjan Mançevski, LSDM.

Ndërkohë nga VMRO-DPMNE kanë akuzuar kryetarin e Kumanovës, Zoran Damjanovski se po punon sipas modelit të kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, duke ndarë tender për të afërmit e tij partiak, një prej të cilëve thuhet të jetë ish deputeti Dragan Mitevski.

“Vlera e këtyre marrëveshjeve arrin 50.056.038 denarë. Zoran Damjanovski vetëm për 7 muaj i ka arritur këto marrëveshje pas çka ka angazhuar firmën e Dragan Mitovskit për rregullimin e shtratit të lumit Kumanovka. Më saktësisht, Damjanovski, firmës Almi-Petroll Doell Kumanovë vetëm për 7 muja i ka mundësuar të ardhura mbi 50 milionë denarë”, u shpreh Daniella Rangellova, VMRO-DPMNE.

Akuzat mes LSDM-së dhe VMRO-së për skandale të ndryshme financiare nisën muajin e kaluar kur opozita maqedonase zbardhi rastin me tenderin e pajisjeve mjekësore prej një milion euro të cilin ministria e shëndetësisë i kishte ndarë një firme ku si pronare paraqitet gazetarja e Sitelit, Ivona Talevska. Melihate Rustemi