Home LAJME Ligji do të thellojë disproporcionin në administratë

Ligji për Nëpunës administrativë… kaloi. Ligji i hartuar nga profesori i Fakultetit për Administratë Jahi Jahija dhe i miratuar me votat e BDI-së për të katërtën herë radhas kaloi në Kuvendin e RM-së.

Përgjatë gjithë këtij debati të gjerë që u bë në Kuvend, shpesh u shtrua pyetja se sa është numri i saktë total i nëpunësve administrativë në administratën shtetërore dhe sektorin publik. Këtë shifër po e kërkon vazhdimisht edhe Bashkimi Evropian, vërejtje kjo e shkruar edhe në Raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë. Por kjo shifër mbahet, siç dihet, si një ndër sekretet më të mëdha. Arsyet janë disa, por ne besojmë se me të bërë të ditur këtë fakt, do mund të shihnim disproporcionin e tmerrshëm për sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Me këtë Ligj ky disproporcion do të thellohet edhe më tej.

Propozim Ligji për nëpunës administrativë ishte një rast i shkëlqyer për shqiptarët për të korrigjuar sadopak të drejtat e tyre kushtetuese për sa i përket përdorimit të gjuhës dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në administratë. Të drejta këto të garantuara me Kushtetutën e RM, me Amendamentin V dhe VI. Ky ishte edhe një rast për partinë shqiptare në pushtet -BDI-në- për të dëshmuar se ajo nuk është vasale dhe skllavëron popullin e vet, nuk është e paaftë dhe pa vullnet e kapacitet politik, ashtu siç pretendon opozita shqiptare dhe i tërë opinioni publik shqiptar.

Me 43 amendamentet që paraqiti Partia Demokratike Shqiptare në komision, për tre ditë me radhë dëshmuam se sa i padrejtë është ky ligj karshi shqiptarëve të këtij shteti dhe sa mohues është ai për 35 % të qytetarëve të këtij vendi. Ishte e pritshme që këto amendamente të hidhen poshtë nga VMRO-ja etnocentrike, por jo edhe nga BDI-ja ksenocentrike. Por kjo është linja e tyre politike dhe rrjedhimisht kjo është situata e mjerë e shqiptarëve këtu.

Në këtë lexim të dytë të këtij ligji, ne si opozitë shqiptare tani nuk mund të bëjmë më shumë veçse të konstatojmë bilancin e dëmit, të shkaktuar falë kësaj jokompetence dhe këtij akti antipolitik e skllavërues të radhës të BDI-së në pushtetin ekzekutiv.

Dhe dëmi për shqiptarët është ky:

Për sa i përket pjesës ku për t’u emëruar këshilltar apo udhëheqës sektori apo njësie kërkohet stazh punë gjashtë deri dhjetë vjet, stazh ky që e kanë vetëm pak shqiptarë në administratë, për arsye retrospektive. Sepse me BDI-në këta 12 vjet në pushtet shumë pak shqiptarë kanë patur mundësinë ta bëjnë gjithë këtë përvojë pune.

Ky ligj pamundëson komunikimin e palës me administratorin në gjuhën shqipe, ashtu siç e parasheh Kushtetuta, nëse administratori nuk flet gjuhën shqipe. Me këtë ligj më shumë të drejta gjuhësore dhe punësimi do ketë një rus dhe një kinez se sa një qytetar autokton, që përbën 35% të popullit të këtij shteti.

Me amendament kërkuam që kriter për t’u punësuar përveç njohjes aktive të gjuhës maqedonase të jetë edhe gjuha shqipe. Në pjesë të ligjit ku nuk përmendet gjuha, e ku nënkuptohet, apo implikohet apriori gjuha maqedonase, ne këto pjesë i amendamuam me përdorimin e gjuhës maqedonase dhe gjuhës shqipe. Si p.sh. zhvillimi i provimit, testi i personalitetit etj. të jetë në të dy gjuhët. Aty nuk ceket gjuha maqedonase, sepse kjo nënkuptohet automatikisht, ne shtuam që provimi të zhvillohet në këto dy gjuhë. BDI na akuzoi, se ne me këta amendamente e detyrojmë maqedonasin të flasë shqip. Edhe kësaj radhe BDI konfirmoi qëndrimin e saj ksenocentrik.

Me disa amendamente synuam të amendamojmë shumë dispozita të ligjit, me të cilat anashkalohet Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe kërkuam zgjerimin e kompetencave të tij. Kërkuam që pa pëlqimin e Sekretariatit, jo vetëm që mos mund të miratohen planet vjetore, por mos mund të bëhet asnjë punësim, asnjë transfer, asnjë avancim, asnjë plotësim punësimi dhe asnjë sistemim i nëpunësve administrativë.

Kërkuam që përfaqësimi i drejtë e adekuat të shtrihet uniform në të gjithë administratën shtetërore, horizontalisht dhe vertikalisht. Pra jo të stërmbushen institucione të parëndësishme të administratës me shqiptarë e në shumë të tjerë më me peshë numri i tyre të jetë i papërfillshëm. P.sh, në Ministrinë për Vetëqeverisje lokale numri i shqiptarëve të jetë 30%, ndërsa në Ministrinë e financave, Bankën Popullore apo në DAP ose në Entin statistikor, ai mos arrijë 5 përqindëshin.

Nëse pranoheshin amendamentet tona, kreu i këtij Sekretariati nuk do kishte nevojë, të mbante konferenca për t’u ankuar dhe vetëkritikuar për pamundësinë e realizimit të bilancit në përfaqësimin e drejtë.

Shumë përpara Stafit akademik dhe studentëve protestues të vonuar të USHT-së, me amendamente kërkuam që gjatë punësimit, të hiqet kriteri për pikët shtesë që fitohen në bazë të rangimit të universiteteve. Si rankimin vendor, që e bën Ministria e Arsimit ashtu edhe rangimet e huaja, si ai i Shangait e të tjerë të huaj.

Me amendament gjithashtu kërkuam që në trajnime dhe përsosje të nëpunësve të përfshihen Institucione arsimore dhe kërkimore që veprimtarinë e tyre e zhvillojnë në gjuhën shqipe, siç është USHT, Fakulteti për Administratë publike.

Në fund mund të konstatoj se BDI-së duhet t’ia pranojmë se e mban fjalën kur premtoi se do të realizojë 100 mijë punësime. Ajo vërtetë e mbajti fjalën dhe për këto vite që është në pushtet ajo e arriti këtë target duke hapur vende të reja pune në Kavadarc, Shtip, Kriva Pallankë e Strumicë, duke punësuar në administratë dhe sektorin publik për 20-30 maqedonas, një shqiptar.