Home LAJME Lëvizja BESA: Qeveria e re nuk propozoi plan reformator, por plan të...

besa

Lëvizja BESA konsideron se “plani reformues 3-6-9” i prezantuar sot nga kryeministri, Zoran Zaev dhe zëvendës kryeministri, Bujar Osmani “është një strategji e kopjuar dhe e ricikluar nga qeveria e mëparshme VMRO-BDI”.

“Zaten nga një qeveri me kuadro të ricikluara, nuk mund të priten projekte origjinale. Kjo strategji tregon se qeveria e Zoran Zaevit, nuk e ka ndërmend të merret seriozisht me çështjet kryesore që tangojnë qytetarët e Maqedonisë, e aq më pak me çështjet që tangojnë qytetarët shqiptarë në Maqedoni”, thuhet në reagimin e Lëvizjes BESA.

Edhe pse ende nuk ka kaluar 100 ditëshi i parë, thuhet më tej, “reagimi i jonë është i domosdoshëm, për shkak se nëse jetësohen projektet dhe politikat e kësaj qeverie, pasojat nuk do të jenë vetëm 100 ditëshe, por shumë më afatgjata”.

“Të prezantosh një projekt me 7 faqe dhe as 7 rreshta të mos ia kushtosh qytetarëve shqiptarë është një nënçmim që deri sot kanë mundur ta bëjnë vetëm Gruevski dhe partnerët e tij. Lëvizja BESA apelon deri te qeveria LSDM-BDI-Aleanca që të ndërpresë sa më shpejtë këtë qasje të mbrapshtë ndaj problemeve të qytetarëve shqiptarë”, thuhet në reagim.

Ata nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët si pjesë e pushtetit, kërkojnë që të vetëdijësohen dhe të shfrytëzojnë rastin historik që kanë në dorë shqiptarët, e mos të udhëhiqen nga interesat e ngushta personale dhe grupore.

“Apelojmë të mos bëhen pjesë e mentalitetit politik që po promovon pushteti i ri, e që aspak nuk dallon nga mentaliteti që promovonte pushteti i deridjeshëm. Në të kundërtën edhe ata do t’i konsiderojmë si pjesë, e madje edhe si shtyllë kryesore të politikave të mbrapshta të qeverisë Zaev ndaj shqiptarëve, që fare nuk dallojnë nga fillimet e qeverisë Gruevski”, reagon BESA

Njëkohësisht, BESA apelon deri te qytetarët shqiptarë që të jenë vigjilent dhe të gatshëm për të reaguar duke përdorë të gjitha format demokratike, për të ndërprerë avazin e vjetër të qeverisë së re, në rast se zhvillimet e mëtutjeshme na imponojnë një gjë të tillë.