Home LAJME Lëvizja BESA mbështet marshin protestues në Tetovë

Në një njoftim dërguar mediave, anëtarët e Këshillit Nismëtar për themelimin e Lëvizjes BESA – Zeqirija Ibrahimi, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi, i kanë ftuar të gjithë anëtarët tjerë të Këshillit Nismëtar të Lëvizjes që ta përkrahin marshin protestues që do të mbahet sot në Tetovë kundër ndotjes së ajrit në këtë qytet.

“Lëvizja BESA në përcaktimet e saj programore do të angazhohet fuqishëm për mbrojtjen e ambientit jetësor, andaj edhe pse ende e pathemeluar si subjekt juridik, ne nuk mund të qëndrojmë indiferent pranë një dukurie kaq alarmante që po u ndodhë tetovarëve sot”, thuhet në njoftim.

“BESA do ta mbështetë jo vetëm marshin protestues së ditës së premte, por do të jetë në mbrojtje gjithnjë dhe gjithkund ku do të vihet në rrezik shëndeti i qytetarëve të këtij vendi. Ne gjithnjë do t’u dalim përballë atyre që e rrezikojnë jetën e njeriut dhe do të jemi bashkë me ata që ngrihen kundër dukurive të tilla”, theksohet më tej.

“Me Besë dhe të bashkuar mund ta luftojmë secilën formë të ndotjes në vendin tonë dhe vetëm kështu mund t’i afirmojmë vlerat pozitive në shoqërinë tonë”, konstatojnë anëtarët e Këshillit Nismëtar për themelimin e Lëvizjes Besa.