Home LAJME Kuvendi do të zgjedh qeveri të re

parlament

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot do ta mbajë seancën e dytë, ku pika e vetme e rendit të ditës është zgjedhja e Qeverisë.

Mandatari Zoran Zaev të dielën rreth mesnatës i parashtroi Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Propozim-programin dhe Propozim-përbërjen e qeverisë së re.  Seanca e Kuvndit u caktua për në ora 11. Sipas rregullores për punë të Kuvendit, Zaev do të ketë fjalim para deputetëve, pas çka do të vazhdojë debati. Rendi i fjalimeve të deputetëve është dakorduar në seancën e djeshme koordinative me kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi. Në këtë seancë nuk mori pjesë përfaqësues i VMRO-DPMNE-së.

Qeveria duhet të zgjedhet dy ditë pas fillimit të seancës, respektivisht më së voni deri të mërkurën në mesnatë. Që ajo të zgjedhet, nevojitet të votojnë të paktën 61 deputetë.

Në Qeverinë e re ministra do të kenë LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat kanë shumicë prej 62 deputetëve në Kuvendin 120-anëtarësh.

Radmilla Shekerinskën është propozuar për  ministre e Mbrojtjes, Oliver Spasovski – i Punëve të Brendshme, Dragan Tevdovski – i Financave, Nikolla Dimitrov – i Punëve të Jashtme, Renata Deskoska – e Arsimit dhe Shkencës, Goran Sugarevski – i Transportit dhe Lidhjeve, Lupço Nikollovski – i Bujqësisë, Mila Carovska – e Punës dhe Politikës Sociale, Damjan Mançevski – i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Robert Alagjozovski – i Kulturës. Koço  Angjushev është propozuar për kryeministër i Çështjeve Ekonomike, ndërsa Edmond Ademi, Robert Popovski, Adnan Qahil, Samka Ibrahimovski, Zoran Shapuriq dhe Zorica Apostolovska për ministra pa dikaster.

Partneri i koalicionit Bashkimi Demokratik për Integrim, në seancën e kryesisë partiake vendosi që në kabinetin e ardhshëm të participojë me Hazbi Likën si zëvendëskryeministër të Sistemit Politik dhe Marrëdhënie me Bashkësitë, Bujar Osmanin – zëvendëskryeministër të angazhuar për Eurintegrime, Sadulla Duraku – ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ramiz Merko – ministër pa dikaster, Kreshnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë dhe Bylent Salihu – ministër i Drejtësisë.

Ministër i Vetëqeverisjes Lokale është propozuar Suhejb Fazliu, ndërsa ministër i Shëndetësisë Arben Taravari. Fazliu dhe Taravari janë propozime të Aleancës për Shqiptarët.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit për zgjedhje të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.