Home LAJME Kryeprokurori Jovevski kërcënon prokurorët shqiptarë, pajtohet me rikualifikimin e lëndës

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeprokurori të shtetit, Lubomir Jovevski, i cili në një reagim të hapur, e ka dënuar deklaratën publike të katër kolegëve shqiptarë – anëtarëve të Prokurorisë Republikane për rastin e Almir Aliut.

Veprimin e prokurorëve Xhelal Bajrami, Ismail Dardhishta, Bashkim Besimi dhe Ferati Elezi, kryeprokurori Jovevski e ka cilësuar si jo profesionale dhe me shkelje të Kodit Etik të Prokurorëve Publike në Maqedoni. Qasja e fundit e prokurorëve shqiptarë, sipas Jovevskit, e vendos në dyshim serioz pavarësinë, lojalitetin dhe dinjitetin e prokurorit publik, “pasi qëndrimet e tyre janë të shkaktuar si rezultat i qëllimeve tjera, të cilat nuk kanë lidhje me kryerjen e profesionit të prokurorit”.

“Nuk do të lejoj ndikim nga askush, veprime këto që i pengojnë përpjekjet për përmirësimin e gjendjes në prokurorinë publike, në drejtim të profesionalizimit, aftësitë, paanshmërisë, vetëdijes dhe realizimit të funksionit të prokurorit publike, në përputhje me dispozitat ligjore. Prokurorët publik gjatë kryerjes së funksionit të tyre nuk guxojnë të lejojnë të jenë të sunduar nga vlerësimet dhe mendimet subjektive, nga presioni i opinionit apo i politikës. Ligji si në çdo lëndë, por dhe kësaj radhe – është i njëjtë për të gjithë, pa dallim përkatësie etnike, fetare apo politike”, thotë Jovevski në letrën e tij publike, ku kategorikisht e shpreh revoltën e tij kundër prokurorëve shqiptarë që u distancuan nga vendimi i Prokuroritë Republikane, për rifkualifikimin e aktakuzës në rastin e Almir Aliut .

Tutje, në letrën e tij, ku i qorton prokurorët shqiptarë, Jovevski thotë se lënda në detaje është shqyrtuar në kolegjiumin e Prokurorisë së Lartë të Shkupit, dhe e njëjta në një kolegjium të gjerë pranë Prokurorisë Republikane, është vlerësuar se në lëndën juridiko-penale është vepruar në pajtim me Ligjin për procedurë penale, atë për Prokurori publike dhe parimet mbi të cilat funksionon Prokuroria Republikane.

Ndryshe, ai thekson se me kumtesën e tyre, prokurorët shqiptarë drejtpërdrejt e kanë shkelur funksionin e prokurorit publik, me çka synohet ndikimi mbi vendimin e lëndës, për shkak se të njëjtit nuk e procedojnë lëndën dhe nuk mundet në opinion të shpalosin mendime që nuk kanë marrë drite jeshile në Kolegjium. Për këtë arsye, Jovevski paralajmëron se komunikata e prokurorëve shqiptarë do të shqyrtohet para Kolegjiumit të Prokurorisë Republikane./Koha