Home LAJME Krimeja si përpjekje anti-europiane e Rusisë

Gadishulli ukrainas i Krimesë kërcënon të kthehet në një shesh të ri beteje në ish-Bashkimin Sovjetik. Një analizë e Deutsche Welle-s tregon se për se bëhet fjalë dhe si erdhi puna deri këtu

“Ky është budallallëk i plotë”, tha Vladimir Putini në një konferencë shtypi në Moskë në mes të koment foto ilustrimdhjetorit 2013. Shqetësimi i presidentit kishte lidhje me pyetjen, nëse Rusia do të dërgonte trupa në Gadishullin e Krimesë. Në sfondin e protestave opozitare në Ukrainë, atëherë pati thirrje për ndihmë ushtarake nga Moska.

Ky premtim nuk duket se është më aktual, sepse persona të armatosur kanë pushtuar përkohësisht godinat dhe aeroportet në Krime. Ministri i ri i Brendshëm i Ukrainës, Arsen Avakov, e akuzoi të premten Rusinë për ndërhyrje ushtarake. Shumë pyesin, si mundi të vinte puna deri këtu?

Histori e paqetë

Gadishulli i Krimesë në Detin e Zi, me madhësi sa gjysma e Zvicrës dhe me një klimë si të Cote d’Azur-it, ka pasur një histori të paqetë. Populli nomad i skithëve, grekët, tartarët dhe turqit kanë sunduar me shekuj në Krime, deri sa erdhën rusët. “Krimeja ka qenë gjithmonë pjesa e tortës e Perandorisë ruse”, thotë Wilfried Jilge, ekspert i Europës Lindore në Universitetin e Leipzig-ut. Ka qenë ëndrra e carëve rusë që të kishin qasje në Detin e Zi. Katerina e Madhe e bëri këtë ëndërr realitet. Në vitin 1783 Krimeja u bë pjesë e Perandorisë ruse.

Vetëm në vitin 1954 kaloi Krimeja administrativisht në Republikën Sovjetike të Ukrainës. Iniciativa për këtë ishte e kryetarit të atëhershëm të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov.

Përshkallëzim pas shpërbërjes së BS

Pas shpërbërjes së BS në vitin 1991, Krimeja u bë pjesë e Ukrainës së pavarur. Kjo solli tensione, sepse rreth dy të tretat e popullsisë së Krimesë janë rusë etnikë. Parlamenti rus e deklaroi më 1992 të pavlefshëm vendimin e Hrushovit. Krimeja deklaroi pavarësinë nga Ukraina. Por qeveria e Kievit arriti megjithatë ta qetësonte gjendjen. Më 1994 konflikti u acarua sërish. Krimeja zgjodhi Juri Meshkovin si president, i cili e çoi përpara bashkimin me Rusinë. Por edhe këtë herë Kievi arriti që ta mbajë Krimenë. Posti i presidentit të Krimesë u eliminua, Meshkovi u arratis në Rusi.

Grindja me Rusinë për ndarjen e Flotës së Detit të Zi zgjati deri në nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit, në vitin 1997. Pas kësaj kohe, Rusia duhet t’i tërhiqte trupat nga Krimeja – por nën Viktor Janukoviçin marrëveshja e rentës u zgjat deri në vitin 2042.

Interesat gjeopolitikë të Rusisë

Gwendolyn Sasses i kujtohen sot ngjarjet e 20 viteve më parë. Por separatistët në Krime sot “nuk janë kaq mirë të organizuar”, si në vitet 1990, thotë ekspertja e Europës Lindore në Universitetin e Oxfordit. Sasse flet për “përpjekje spontane” për ta shfrytëzuar krizën në Ukrainë. Ajo nuk beson se ekziston një masterplan rus, për ta shkëputur republikën autonome nga Ukraina. Moska e përjeton lëvizjen opozitare në Ukrainë si “vendim gjeopolitik”, thotë Wilfried Jilge. Po të integrohet Ukraina në BE, projekti i Putinit për një Bashkim Euroaziatik do të rrezikohej.

Sondazhe aktuale, si e shikojnë njerëzit të ardhmen e tyre në Krime nuk ka. Por ka shifra, të cilat flasin indirekt për këtë. Vetëm 31 për qind e banorëve të Krimesë e mbështesin Ukrainën si shtet të pavarur. 36 për qind janë kundër – para së gjithash rusët. Këto janë përfundimet e një sondazhi të kryer në qershor 2013 nga Qendra Rasumkov e Kievit. Por në Kiev jetojnë edhe ukrainas dhe tartarë, të cilët janë kundër shkëputjes. Me 300 000 vetë, tartarët e Krimesë që po kthehen në 20 vitet e fundit në atdheun e tyre, pas deportimit që u bëri Stalini, përfaqësojnë mbi 14 të popullatës. Në një manifestim në Simferopol, tartarët që janë tradicionalisht proukrainas e bënë të qartë pozicionin e tyre. “Krimeja është Ukrainë”, thërrisnin ata.