Home LAJME Kosova, Serbia dhe e ardhmja e tyre europiane

Takimi i para disa ditëve në Bruksel, midis Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiç, me ndërmjetësinë e baroneshës Eshton, ishte një dëshmi që provoi edhe një herë tjetër dy të vërteta: e para që marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë varen në fijen e perit dhe, e dyta, se diplomacia kushtëzuese e Bashkimit Europian është gjetja më realiste e më produktive për t’i mbajtur këto vende në korsinë e normalizimit e të integrimit europian.

Ballkani Perëndimor ndodhet në një pikë kthese shumë të rëndësishme të historisë së tij: ose shkëputet përfundimisht nga trashëgimia konfliktuale e nacionaliste e përqafon vlerat e kulturën europiane të bashkëjetesës e të së ardhmes së përbashkët, ose mbetet i lidhur me vargonjtë e së shkuarës, peng i pjesës më të keqe të historisë së tij, i konflikteve, kontestimeve dhe urrejtjes ndëretnike. Kjo është sfida e madhe për të gjitha kombet e shtetet e rajonit.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë një progres të madh në 12 vitet e fundit për t’u shkëputur nga e kaluara konfliktuale e për të ecur në rrugën e pajtimit e të bashkëjetesës multietnike. Por ende mbetet shumë për të bërë. Është shumë inkurajuese që ky vit solli një dëshmi të mundësive të jashtëzakonshme që krijon vullneti politik pozitiv në hapjen e rrugës e të perspektivës së pajtimit të popujve. Dhe fjala është për procesin e nisur të dialogut e të marrëveshjeve, që kanë filluar gati një vit më parë midis Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Marrëveshja e 19 prillit në Bruksel midis qeverive të Kosovës e të Serbisë shënoi një epokë të re jo vetëm në marrëdhëniet midis dy vendeve, por edhe për të gjithë rajonin. Në kuptimin simbolik, ajo është një akt madhor që hap rrugën e pajtimit historik midis dy popujve, siç ndodhi me pajtimin franko-gjerman pas Luftës së Dytë Botërore. Ndofta kundërshtarët e kësaj tendence qytetëruese në zgjidhjen e kontestimeve e të mosmarrëveshjeve nuk janë të kënaqur për momentin, ashtu si shumë francezë pas vitit 1945 nuk donin të dëgjonin për gjermanët. Por koha i shëron plagët, mundëson reflektime dhe është aleate e forcave të progresit e të pajtimit, të bashkëpunimit e të integrimit.

Historia e përgjakshme e marrëdhënieve midis shqiptarëve e serbëve mund të quhet e mbyllur në qershorin e fundit të shekullit të kaluar. Në atë kohë kishte pak optimizëm se një ditë midis Kosovës e Serbisë mund të niste një proces dialogu. Armiqësitë, urrejtja e mosbesimi i thellë i ushqyer nga të dyja anët nuk lejonte ndërtimin e urave të komunikimit. Emocionet qëndronin mbi arsyen dhe ato i pengonin serbët e shqiptarët për t’u ulur në tavolinë e për të gjetur kompromiset e duhura e zgjidhjet e përshtatshme. Ndjenjat e përziera përjashtuese kishin ndërtuar një mur të lartë e të pakapërcyeshëm në mendjen e njerëzve në të dyja anët dhe do të ishte naive të besohej që ai të mund të rrëzohej menjëherë.

Nevoja minimale e bashkëjetesës gjithnjë i ka detyruar njerëzit që të bëjnë paqe e kompromise të dhimbshme edhe me ndërgjegjen e ndjenjat e tyre. Liderët e përgjegjshëm e që vështrojnë larg, në emër të së ardhmes së kombeve të tyre sakrifikojnë egoizmin e verbër nacional dhe shtrijnë dorën e pajtimit. Sot ndodhemi para një realiteti të paimagjinueshëm vite më parë: liderët e të dy vendeve, nga njëra anë ai i Serbisë, ish-zëdhënësi i Millosheviçit, makina e luftës e të cilit donte t’i shfaroste shqiptarët, dhe nga ana tjetër, i ashtuquajturi kryeterroristi e kryeseparatisti i Kosovës, komandanti i KLA, u ulën e biseduan me ndërmjetësinë e kryediplomates europiane dhe arritën në marrëveshje. Shumica e njerëzve e mbështetën procesin dhe inkurajuan negociatorët në këtë hap historik.

Një analizë që ka për objekt të ndriçojë arsyet që çuan në këtë “ulje armësh”, duhet të fillojë me pyetjen: cilët ishin faktorët që ndikuan në këtë kthesë të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd? Të brendshëm, serbë e shqiptarë, rajonalë apo të jashtëm, europianë e amerikanë?

Përgjigjja mund të jetë komplekse, natyrisht jo e baraspeshuar në kontribute dhe influenca, në interesa dhe në instrumente. Nuk duhet mohuar se pas kaq shumë vite konflikti, vuajtjesh e tensionesh të ashpra etnike, një pjesë e njerëzve e ndjenë dhe e kuptuan se nuk mund të vazhdohej më tej në rrugën pa krye të nacionalizmit agresiv. Reflektimi ka nisur nga brezat e rinj, të cilët nuk e kanë përjetuar të gjithë sagën e urrejtjes etnike dhe që nuk dëshirojnë të lënë peng të ardhmen e tyre europiane për shkak të një të shkuare tipike ballkanike. Edhe liderët politikë që e kanë për zanat të matin temperaturën e mjedisit social, e sidomos të asaj shtrese që viktimizohet e manipulohet më shpesh, e ndjenë se kishte ardhur koha që të tregoheshin më pragmatistë e më pak nacionalistë, por me kujdesin për të mos marrë kosto të lartë politike dhe elektorale.

Në jetën politike e në veprimtarinë shtetërore vendimet e mëdha e të rëndësishme i marrin njerëzit që kanë vullnet të fortë e që gëzojnë besimin e pjesës më të madhe të popullit të vet. Bisedimet e Serbisë me Kosovën nuk i filloi presidenti Tadiç, i cili njihej si një lider liberal e proeuropian. Ai nuk e pati kurajën, sepse nuk e përballonte fushatën që mund të shpërthenin kundër tij qarqet e fuqishme supernacionaliste në Serbi dhe efektet negative që ajo mund të kishte në fatin politik personal e të partisë që përfaqësonte. Një ndër akuzat më të lira dhe më inflacioniste në Ballkan kundër politikanëve kanë qenë apelacionet “tradhtar” dhe “tradhti kombëtare”. Para tyre edhe udhëheqës mendjehapur e demokratë shpesh janë tërhequr ose kanë ngurruar për të hedhur hapin e duhur, që çel një epokë të re në marrëdhëniet midis vendeve. Por atë që nuk e bëri Tadiçi, e bëri Presidenti Nikoliç e Kryeministri Daçiç, dy njerëz me kredenciale të forta nacionaliste në qarqet konservatore të shoqërisë serbe. Ata ishin më të imunizuar e më të mbrojtur para çdo akuze që mund të vinte në adresë të tyre nga ato qarqe në krye të të cilave kishin qenë vetë.

Qeveria e Kosovës e pati më të lehtë për të shkuar në serialin e bisedimeve të Brukselit. Korniza e bisedimeve pak a shumë ishte Paketa e Ahtisarit, tashmë e pranuar nga shumica e opinionit në Kosovë. Nga ana tjetër, bisedimet synonin stabilizimin dhe integrimin e një pjese të vendit, të Mitrovicës Veriore në jetën institucionale të Kosovës, si dhe zgjidhjen e disa çështjeve me interes të ndërsjellë si ato të Telekomit, të energjisë etj. Opozita kryesore në Prishtinë, LDK, nuk doli në thelb kundër bisedimeve me përjashtim të partisë “Vetëvendosja”.

Pa dyshim faktori kryesor që i çoi dy palët në Bruksel e që ndikoi në rezultatin e bisedimeve ishte ai i jashtëm, BE dhe SHBA. Serbisë iu ofrua karota e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në të kundërt, ajo mund të përdorej si shkop për të penalizuar Beogradin, kur autoritetet serbe nuk do të tregonin vullnet për të biseduar dhe arritur kompromisin. Dialogu e bashkëpunimi rajonal janë prerekuizitë për procesin e anëtarësimit në BE. Uashingtoni ka luajtur në këtë rast një rol lehtësues, më tepër në Prishtinë se në Beograd. Por në kryeqytetin e Serbisë ka një zyrë ndërlidhjeje të NATO-s dhe vendi i është bashkuar Partneritetit për Paqe (PfP). Ndonëse NATO ende është jo popullor mes serbëve, një anëtarësim i ardhshëm në këtë organizatë do të kërkonte patjetër mbështetjen amerikane.

Marrëveshja e 19 prillit dhe ato që erdhën më pas u nënshkruan në pozita barazie, prej të cilave të dyja palët dolën të fituara. Qarqe të caktuara që qëndrojnë ende në llogoret e konfliktit permanent në të dy vendet, mbetën të pakënaqura dhe akuzuan reciprokisht nënshkruesit e marrëveshjes. Një qëndrim i pritshëm, duke marrë në konsideratë të shkuarën e hidhur, por që për fat të keq nuk mbeti thjesht në dhunë verbale në Mitrovicën e Veriut. E rëndësishme është që mesazhet që u dhanë nga takimet e Brukselit, u kuptuan drejt nga shumica e njerëzve në Serbi e në Kosovë, pavarësisht nga ngjyrimet me të cilat ato u paraqitën në tregun politik e mediatik të secilit vend. Opinioni europian, por edhe ai ndërkombëtar i mirëpriti këto marrëveshje. Administrimi me kujdes i zgjedhjeve të 3 nëntorit, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut e me pjesëmarrjen masive të komunitetit serb aty, do të ishte një shprehje konkrete pozitive e klimës së re që po krijohet në marrëdhëniet midis dy vendeve. Këto zgjedhje mbeten një sfidë serioze për Beogradin e Prishtinën.

Marrëveshjet janë një fillim premtues për pajtimin shqiptaro-serb. Një rrugë e gjatë ndodhet përpara e shumë çështje të tjera të rëndësishme presin që të zgjidhen. Mund të ketë përpjekje për t’i nxjerrë negociatat nga shtrati në të cilin po zhvillohen. Dikush mund t’i mendojë ato si një lëvizje taktike për përfitime të përkohshme. Me të drejtë ka mjaft pikëpyetje që duhen sqaruar e dhënë përgjigje. Ka mjaft sfida që do të duhet të përballohen nga të dyja palët, veç e veç, por edhe së bashku, jo vetëm për të mbyllur plagët e së kaluarës, por edhe për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët në familjen europiane.

Serbia, ndër të tjera, ka një sfidë të madhe përpara, që është edhe mjaft e diskutueshme e që ngjall reagime nga më të ndryshmet. Me marrëveshjet që u arritën me Prishtinën, Beogradi normalisht ka siguruar hapjen e negociatave me Brukselin për anëtarësimin e plotë në BE diku nga fillimi i vitit tjetër. Do të duhet kohë për t’i mbyllur ato jo thjesht për shkak të lodhjes që ka shkaktuar procesi i zgjerimit dhe dilemat e së ardhmes në vendet anëtare të BE. Serbisë një ditë do t’i dalë përpara çështja e njohjes së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur si kusht për anëtarësim të plotë. Sot, Kryeministri Daçiç e quan Kosovën “territor i veçantë e jo shtet” kur ajo është njohur si shtet i pavarur nga 105 qeveri e vende anembanë botës. Në një të ardhme të afërt, numri i njohjeve do të rritet më tej dhe pozita ndërkombëtare e Kosovës do të forcohet edhe më tepër. Ndërkohë, Serbia do të ketë avancuar në negociata për anëtarësim në BE e në rastin më të mirë mund t’i ketë mbyllur ato. Atëherë asaj do t’i duhet të marrë një vendim jo të lehtë: ose do t’i mohojë popullit serb bashkimin me familjen europiane, të ardhmen e tij legjitime për hir të miteve historike, ose do t’i duhet të ndryshojë Kushtetutën e të njohë Kosovën si shtet i pavarur. Kjo rrjedhë logjike e zhvillimeve sot përgënjeshtrohet e nuk pranohet në Beograd, sikurse vite më parë hidhej poshtë çdo ide për t’u ulur në tavolinë e për të biseduar me përfaqësuesit e Prishtinës zyrtare. Jo pak njerëz marrëveshjet e Brukselit i kanë cilësuar si njohje de facto, ose si fillimin e procesit të njohjes së Kosovës nga Serbia. Koha punon për bashkimin institucional të serbëve e të shqiptarëve në familjen e madhe europiane dhe udhëheqësit politikë serbë sot, por edhe më shumë nesër do të detyrohen ta pranojnë mesazhin e saj.

Kosova nga ana e saj ka sfidat e veta, zgjerimin e njohjes ndërkombëtare, hapjen e përfundimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim–Asocimit e liberalizimin e vizave, kryerjen e plotë e me standarde europiane të procesit të decentralizimit e të përfaqësimit të serbëve e të minoriteteve të tjera në institucionet vendore e qendrore të qeverisjes, rigjallërimin e ekonomisë, thithjen e investimeve të huaja, uljen e papunësisë, luftën kundër korrupsionit e krimit etj. Prishtina është e interesuar për normalizimin e shpejtë të marrëdhënieve me Beogradin për shumë arsye dhe interesa, aktuale e të perspektivës, por gjithnjë mbi bazën e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, të barazisë, të njohjes e të leverdisë reciproke.

Prishtina nuk ka mëdyshje në orientimin e saj në politikën e jashtme. Dikush mund të shtrojë pyetjen nëse realisht Kosova ka politikë të jashtme sovrane apo të diktuar ose të influencuar nga SHBA e Bashkimi Europian? Jo vetëm Kosova për rrethanat specifike në të cilat ndodhet, por edhe shumë shtete të vogla e të mesme të tjera në sistemin aktual ndërkombëtar për mjaft çështje të politikës së tyre të jashtme kanë një pavarësi relative. Por duhet nënvizuar se Kosova në marrëdhëniet e saj me jashtë është orientuar shumë drejt: aleancë strategjike me SHBA, integrim në BE e në NATO, fqinjësi të mirë e bashkëpunim rajonal.

Në politikën e jashtme të Kosovës një vend të veçantë zë Shqipëria. Natyrshëm po kështu edhe Kosova në politikën e jashtme të Tiranës. Në Beograd vazhdimisht janë parë me dyshim lidhjet ndërshqiptare. Fantazma e “Shqipërisë së Madhe” është shfaqur sa herë është dashur për të sensibilizuar opinionin e brendshëm e të jashtëm, veçanërisht në vitet e fundit. Politikat zyrtare të Prishtinës dhe të Tiranës, me pak përjashtime nga zëra të veçantë dhe emocionalë, i janë përmbajtur qartësisht objektivit strategjik të përbashkët, integrimit të të dy vendeve në BE. Në funksion të këtij objektivi e të një bashkëpunimi legjitim e gjithëpërfshirës ndërshqiptar, të dyja vendet kanë hedhur hapa të cilët do të ishin normalë për çdo komb, që historia e ka ndarë padrejtësisht në dy pjesë. Strategjia e përbashkët ndërshqiptare do të synojë një kohezion më të madh të faktorit shqiptar në Ballkan, të rolit e të potencialeve të tij, por që do të jetë pjesë e një strategjie integruese rajonale që do t’i çojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në destinacionin final, në Europën e Bashkuar.

Në rrethanat e reja që janë krijuar, do të ishte e dobishme që të mendohet edhe për një cilësi tjetër marrëdhëniesh Shqipëri–Kosovë–Serbi, si tri shtete të pavarura e fqinje. Do të ishte një zhvillim me vokacion europian e që do të sillte një model marrëdhëniesh me influencë të gjerë në rajon. Gjithnjë ka një fillim. Përderisa po bisedohet midis Prishtinës e Beogradit drejtpërsëdrejti, ka shumë më tepër arsye që Shqipëria e Serbia të largohen nga stereotipat në marrëdhëniet midis tyre.

Në marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë ekziston edhe çështja e Luginës së Preshevës. Një zgjidhje në nivelin më të avancuar të standardeve për komunitetin serb në Mitrovicën e Veriut sjell në vëmendje edhe trajtimin po me të njëjta standarde edhe të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shkëmbimi i territoreve e, në rastin konkret, ato të Mitrovicës së Veriut me Luginën e Preshevës midis Kosovës e Serbisë, është një politikë e vjetër dhe jo një qasje në përputhje me filozofinë integruese europiane. Serbët e Mitrovicës së Veriut dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, nëse do të jenë qytetarë të Bashkimit Europian, do të gëzojnë të gjitha të drejtat njësoj e kudo ku jetojnë, e jo në varësi të vendit e të kombësisë që i përkasin.

Serbia nuk duhet të jetë kontradiktore e me dy standarde në angazhimet e saj për t’u bashkuar në familjen europiane. Ajo e ka shpallur anëtarësimin në BE si një objektiv strategjik të saj. Të paktën këtë nënkupton deklarata e Kryeministrit të saj, Daçiç, se “ne na duhet të gjejmë një politikë të re për një epokë të re për të na bërë pjesë të familjes në Europë”. Serbia ka nevojë për BE e për ndihmën e tij. Sipas burimeve të besueshme, ekonomia serbe konsiderohet relativisht jokonkurruese, infrastruktura industriale e teknologjike e saj është e vjetruar, GDP është 65 për qind e asaj që ka qenë në vitin 1989 dhe papunësia ka arritur rreth 20 për qind. Për më tepër, 80 për qind e tregtisë së Serbisë bëhet me vendet anëtare të BE e shtetet përreth tyre.

Serbia, ndonëse po orientohet drejt BE, ende ka dilema në përcaktimin e strategjisë në politikën e jashtme. Asaj do t’i duhet të zgjedhë rebusin e vjetër të orientimit strategjik midis NATO-s e BE nga njëra anë, e Rusisë nga ana tjetër. Jo për të përjashtuar një faktor të rëndësishëm ndërkombëtar në favor të tjetrit, por për të krijuar ekuilibra të qëndrueshëm në përputhje me interesat e të ardhmen e vendit.