Home LIFESTYLE Kosova më 22 tetor shkon në zgjedhje lokale

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka caktuar datën 22 tetor 2017 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Në një njoftim nga Presidenca e Kosovës thuhet se në mbështetje të Ligjit për Zgjedhjet Lokale, presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me partitë politike ka marrë vendim që zgjedhjet për organet vetëqeverisëse lokale të mbahen më 22 tetor 2017.

Me këtë rast, Thaçi ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në përputhje me vendimin e tij dhe legjislacionin në fuqi.

Thaçi sot kishte pritur në takim konsultativ përfaqësuesit e subjekteve politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, ku edhe përfaqësuesit e partive politike kishin shprehur pajtimin që këto zgjedhje të mbahen më 22 tetor.

Ndryshe, zgjedhjet e kaluara lokale në Kosovë janë mbajtur më 3 nëntor 2013, ndërsa certifikimi përfundimtar nga KQZ është bërë më 11 dhjetor 2013. Sipas ligjit për zgjedhjet lokale, këto zgjedhje mbahen ditën e diel për çdo 4 vite. Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se gjashtëdhjetë ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se tridhjetë ditë pas përfundimit të mandatit. Sipas kompetencave të presidentit të Kosovës të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi për caktimin e datës së zgjedhjeve bëhet jo më vonë se 4 muaj dhe jo më herët se gjashtë muaj, para datës së zgjedhjeve.