Home LAJME Kompanitë shqiptare të margjinalizuara në tregun e Maqedonisë

S’ka biznes të suksesshëm pa ndonjë “mik” në pushtet: Numri më i madh i firmave që i kanë shqiptarët janë të madhësive të vogla dhe të mesme. Këtu para se gjithash mendohet për biznesin e vogël të llojeve të ndryshme dhe zakonisht sukses të madh janë evidente në tregtinë me pakicë, prodhimtari dhe në sektorin e shërbimeve. Por, fatkeqësisht këto mbeten vetëm në margjina kur bëhet fjalë për pozitë dominuese të kompanive shqiptare në tregun e Maqedonisë.

Në Maqedoni ka mbi 20 kompani shqiptare të cilët që nga pavarësia e Maqedonisë zhvillojnë më sukses biznesin e tyre por asnjëra nga këta për dallim nga kompanitë Maqedoni nuk posedojnë aksione në industrinë e metaleve, minierave, mediave, kompanitë farmaceutike, si dhe spitalet e bankat. Pikërisht kjo sipas ekspertëve ekonomik ka bërë që kompanitë pronarët e të cilëve janë shqiptarë të Maqedonisë me veprimtarinë e tyre që e ushtrojnë kanë shumë pak pozitë dominante apo nuk kanë fare pozitë dominuese në tregun e Maqedonisë.

Për ekspertin për çështje ekonomike Abdylmenaf Bexheti ekzistojnë shumë faktorë që shqiptarët nuk e gjejnë hisen e tyre në tregun e Maqedonisë edhe pse pa fajin direkt të shqiptarëve.

“Të gjitha kompanitë që mbijetojnë sot janë të gjitha të ngritura mbi sakrificat individuale dhe familjare të tyre dhe me asgjë asnjëherë qeveria dhe agjencitë e saj nuk kanë përkrahur këtë strukturë. Së dyti edhe vet shqiptarët kanë një pjesë faji se nuk arritën edhe pas 20 vitesh të organizohemi në sistem koorporativ-koncentrim kapitali dhe “të bashkuar të bëjmë fuqinë” thotë Bexheti

Pikërisht ky mos organizmin sipas Bexhetit ka bërë që kompanitë shqiptare të jenë margjinalizuar në të gjitha bizneset dhe shërbejmë si “dorë e zgjatur e tjerëve’.

“Edhe atje ku marrim pjesë kompanitë shqiptare ajkën e marrin tjerët kurse kompanive shqiptare u mbeten risqet dhe fitimi me shumë sfida. Se kompanitë shqiptare nuk janë pjesë e sukseseve të mëdha qartë tregon fakti se në asnjërin sektorë me monopol natyror nuk operon ndonjë kompani shqiptare siç është telekomunikacioni, bankat, sigurimet, energjetika, sektori bankar, lizingu etj” thotë Bexheti

Për ekspertin ekonomik Nasir Selimi fakti se në listën e njëqind kompanive më të mëdha eksportuese në Maqedoni gjinden vetëm dy-tre kompani me pronarë shqiptarë flet qartë se këto kompani janë larg asaj që duhet të jenë.

“Gati 90 për qind e top njëqind kompanive eksportuese të Maqedonisë janë maqedonase dhe nga Shkupi. Nga ana tjetër eksporti ka rëndësi të jashtëzakonshme në zhvillimin e ekonomisë së një vendi. Ndoshta maksima e njohur “blej shqip”, duhet të zëvendësohet dhe plotësohet me maksimën “eksporto shqip” e cila është akoma më e dobishme se e para” thotë Selimi

Si faktorë tjetër që kompanitë shqiptare nuk ka hisen e merituara në tregun e Maqedonisë sipas Selimit ka të bëjë me privatizimin e kapitalit shtetëror dhe shoqëror në vend.

“’Padyshim se procesi i privatizimin nuk ishte vetëm i dëmshëm për biznesmenët shqiptarë, por edhe diskriminues. Ato u përjashtuan nga transformimi i pronësisë edhe në ato vendbanime ku janë shumicë’ thotë Selimi

Megjithatë gjatë këtyre dy dekadave të tranzicionit eksperti ekonomik Selimi thotë se një numër i firmave të themeluara nga shqiptarët po rriten, zhvillohen dhe korrin suksese të mira.

“E gjithë kjo është si rezultat e punës vetëmohuese të këtyre biznesmenëve dhe aftësive menaxhuese të tyre. Ata le që nuk ndihmohen nga askush, por përkundrazi hasin në pengesa dhe bariera të llojllojshme qoftë administrative apo burokratike. Vështirë është sot të bësh biznes nëse nuk ke “lidhje” ose nuk mban financiarisht ndonjë mik a jaran në pushtet”./illyria