Home LIFESTYLE Koha: Gurët presin kompani që garanton siguri

Tetovë, 8 korrik – Pas ankesave të banorëve të fshatit Poroj për shkak të mos rregullimit të digave dhe thyerjes së gurëve, megjithatë këto dy problem kanë ngelur pezull. Asnjë institucion deri më tash nuk ka marrë përsipër që të angazhohet më seriozisht, me këtë problem i cili në të ardhmen mund të ketë edhe pasoja për banorët e këtij fshati, shkruan gazeta KOHA. Thyerja e gurëve, sipas autoriteteve të njësisë rajonale të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Tetovë, nuk është kompetencë e tyre. Por, sipas drejtorit, Arif Arifi, megjithatë ata kanë marrë përsipër që të shkatërrojnë gurët, me qëllim që t`u dilet në ndihmë banorëve, por ende nuk kanë gjetur kompani adekuate.

“Pas vendimit të Qeverisë, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, nga 6 qershori e deri më 29 qershor, intensivisht ka bërë pastrimin e shtratit të lumit në Poroj dhe rrugës regjionale Tetovë-Jazhincë. Brenda kësaj kohe nga ana e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim janë bartur 100 mijë metër kub. Është pastruar shtrati i lumit në gjatësi prej 2 kilometrave dhe deri më 29 qershor, kjo Drejtori ka përfunduar të gjitha punët që i takon në bazë të ligjit dhe ingerencave që ka. Gurët që ndodhen afër rrugës kryesore nuk paraqesin rrezik për qytetarët, ndërsa ne jemi në kërkim të një kompanie, e cila do të bëjë minimin e të njëjtave. Deri më tash ka pasur disa firma që janë interesuar, por ata nuk japin garanci për sigurinë e qytetarëve dhe banorëve, ndërsa ne jemi duke pritur një kompani e cila do të jep garancë se nuk cenohet siguria e qytetarëve”, u shpreh Arif, Arifi, drejtor i njësisë rajonale të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Tetovë. Ai shprehet se të gjitha institucionet tjera kanë dështuar në Poroj, duke filluar nga armata, komuna, por edhe drejtori tjera kompetente.

“Në bazë të vendimit të Qeverisë që kur filluan vërshimet në teren, është dashur që të jenë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, Komuna e Tetovës dhe Armata e Maqedonisë. Prej këtyre vetëm DMSH –ja ka pasur makineri të angazhuar në teren. Komuna dhe Armata është dashur që edhe ata të merren me këtë çështje. Mirëpo, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim përsëri e ka marrë përsipër që të bëjë thyerjen e gurëve, por kërkojmë kompani që jep garanci për sigurinë e qytetarëve”, deklaroi Arif, drejtor i njësisë rajonale të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Tetovë.

Problemi me digat ka mbetur pezull, ndërsa nëse nuk rregullohet ky problem sërish kur do të ketë vërshime pasojat do të jenë të njëjta. “Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, çdo herë do të bëjë punën që i takon rreth problemit të pastrimeve, por problem kryesor është në digat, dhe përderisa digat nuk rregullohen pastrimi është çështje sekondare. Apeloj te të gjitha institucionet që digat detyrimisht të rregullohen, sepse ajo është primare”, tha Arifi. Përndryshe, banorët e fshatit Poroj kohë më parë kanë kërkuar nga të gjitha institucionet që të merren më seriozisht me rregullimin e digave përgjatë lumit, por deri më tash nuk ka asnjë lëvizje pozitive. (koha.mk)