Home LAJME Koalicioni PAN në kërkim për partnerë tjerë të koaliconit

133734239

Koalicioni PAN, të cilin e përbëjnë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, edhe pse fitoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën të dielën, megjithatë duhet të kërkojë edhe partnerë tjerë të koalicionit që të formojë qeveri të re.

Sipas rezultateve preliminare, siç njoftoi korrespodenti i MIA-s, PAN fitoi 39 vende të deputetëve në Kuvendin 120 anëtarësh të Kosovës, pra do t’i duhet përkrahje edhe prej të paktën 22 deputetëve për sigurimin e shumicës parlamentare.

PAN nuk do të mund të sigurojë shumicë as me përfshirjen në koalicionin qeveritar të dhjetë deputetëve nga Lista serbe dhe dhjetë deputetëve nga bashkësitë pakicë. Koalicioni i tillë i udhëhequr nga PAN do të kishte 59 deputetë dhe për shumicë i nevojiten edhe dy deputetë dhe për këtë shkak duhet të kërkojë edhe partner tjetër të koalicionit për formimin e qeverisë.

Nëse merret parasysh se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja “Vetëvendosje” në mënyrë kategorike kanë përjashtuar mundësi të tillë për koalicion me PAN, atëherë “çelësi” për formimin e qeverisë mbetet të Aleanca për Kosovë të Re e Bexhet Pacollit.

Partia e Pacollit në zgjedhje ishte në koalicion me LDK-në e kryeministrit Isa Mustafa dhe partinë Alternativa dhe duhet të priten rezultatet zyrtare nga zgjedhjet që të shihet sa deputetë ka secila parti ndaras në këtë koalicion.