Home LIFESTYLE “KËSHILLTARËT” E PËRZËNË

HAMDI ISLAMI  (Pjesë nga shkrimi autobiografik “Gjurmëve të jetës”)

Një muaj më pas, ndërsa rrinte te dritarja “e tij” në zyrën e arsimtarëve dhe bashkë me ta bënte pushimin e gjatë 20 minutësh, në derë pa të hynte me një letër në dorë Faiku, pedagogu i shkollës. Ai kërkoi ta dëgjojnë një moment për një lajm që duhej t’ua kumtonte. – Nga Enti Pedagogjik, – tha ai, – ka ardhë një letër me të cilën na njoftojnë se, javën tjetër, me këshillëtarët pedagogjikë të të gjitha lëndëve do të bëjnë një hospitim në shkollën tonë, pra kontroll se si mbahen orët mësimore. Po ua lexoj emrat e secilit veç e veç për lëndët përkatëse. Për të gjithë lexoi nga një, kurse vetëm për Lavdim Dançollin lexoi emrat e dy vetave, sepse vetëm ai jepte dy lëndë: Arifikmet Xhemaili për muzikë, dhe Fatmir Sulejmani për gjuhë shqipe. Me të dëgjuar këta emra, ai aty për aty vendosi që Arifikmetin, kur t’i vinte n’orë, ta përzinte, kurse për Fatmirin e la të mendohej. Për të dy kishte një arsye të përbashkët: e ndjeu veten të fyer me kontrollimin që do t’i bënin, tash, dy vjet para pensionimit. Pastaj, të parin e mbante mend për dy gjëra të këqia: e para, për mendjemadhësinë, se, me punësimin e tij në gjimnaz 10 vjet më pas, (se ishte 10 vjet më i ri), asnjëherë nuk ishte ndalur që të bisedonin, të paktën, nga ana profesionale e punës së njejtë që bënin me nxënësit, edhe pse takoheshin shpesh në rrugën që ua ndante vetëm 50 hapa shkollat ku shërbenin, dhe, e dyta, pse vetëm kur kishte rënë në zor, erdhi e iu lut t’ia jepte partiturën e Himnit Kombëtar që të mos turpërohej me të Partisë si profesor i muzikës që ishte. Kjo është përshkruar në një nga tregimet e vëllimit 3-të. Për Fatmirin e la të mendohej se, me gjithë respektin që kish, nuk iu duk me vend që ta “kontrollonte” një ish nxënës i vet. Dhe e mendoi si t’ia bënte me Arifikmetin: kur të hynin në orë, do t’u thosh nxënësve që ka ardhë ky profesor i muzikës të më zëvendësojë këtë orë, pë shkak se unë kam të shkoj diku. Do ta linte në klasë me nxënësit kurse vetë do të dilte. Por ngjarja nuk u zhvillua ashtu si e mendoi. Dhe ja si ndodhi: ishte e mërkurë kur, në pushimin 20 minutësh, në zyrën e arsimtarëve iu afrua Faiku dhe e njoftoi që kishte ardhë. I thuaj se tash jam në pushim, ia ktheu Faikut me një ton nervozizmi. Tjetri iku si i përvëluar, se ia kishte edhe nderin si mësues muzike që e kishte pasur dikur në tetëvjeçare dhe nuk e hapi gojën. Me të mbaruar pushimi, mori ditarin dhe u nis si përherë. Mësim kishte te një klasë mu përballë zyrës së drejtorit. Hajt, ta hap, tha me vete kur arriti aty, të më sheh, se nuk ka kuptim. Sapo e bëri këtë, sytë iu ndeshën me të tij që rrinin në pritje. E la derën hapur dhe, si bëri dy tre hapa të ngadaltë, ndaloi para klasës. Tjetri i erdhi nga shpina e i doli përpara. – Mirëdita, koleg, – e përshëndeti duke u munduar të buzëqeshë.. – Mirëdita, – ia ktheu edhe Lavdimi dhe s’kishte si mos ia jepte dorën kur pa që ai e kishte shtrirë. – Urdhno, Arifikmet, ç’paske ardhë? – u shtir se nuk di gjë. Tjetri ngeci. Nuk dinte ku ta çonte shikimin. – Kam ardhë të asistoj në orë, – tha më në fund. – Si? Në orë te unë?! – Po ja, ne jemi shokë… – i dha bisht fjalës tjetri, për ta ndryshuar situatën e pakëndshne që u krijua. – Po mirë, si shokë që jemi, pse nuk erdhe nja nji javë përpara ose më mbas, po e gjete mu tash? – Më ka dërgue Enti Pedagogjik, -mezi foli ai. – Unë jam bashkëpunëtor i jashtëm. – Ashtu, a!? S’e paskam dijtë. Po mirë, çfarë këshille do më japësh ti kur, atë që ke krye ti, kam krye edhe unë! Përveç kësaj, a të kujtohet kur ta dhashë partiturën e Himnit Kombëtar e nuk të turpnova me ata të Partisë që t’ua këndoje me korin e shkollës në Kuvendin që mbanin, po nuk e dije si profesor i muzikës që ishe? -Jo jo, kështu jo! – ia bëri tjetri si me të bëlbëzuar e me buzëqeshje të fikur, dhe pa nga shkallët që ishin nja tre hapa më tej. Li-lu, ua mbathi këmbëve andej, pa ia dhënë dorën. Eh, i mjeri, tha Lavdimi me vete duke e parë nga shpina tek i zbriti ato me shpejtësi. Pastaj vuri dorën mbi rezen e derës dhe e mbajti. Mirë shpëtoi. Po të bëhej ashtu si e mendova unë, kushedi çka do ndodhte. Ha! Të nesërmen i erdhi Fatmiri. Atë nuk vendosi ta përzen, për shkak të respektit që kish, megjithë një gafe që i kishte ndodhur me të disa kohë më parë. Ishte duke ndenjur pranë dritares “së tij”, kur ai i erdhi në zyrë e iu ul pranë. Kishte ardhë në shkollë për ndonjë punë të vet, po uljen pranë e mori për respekt. Kur u ngrit të shkojë, e pyeti se ku mund ta gjente e ta blente revistën “Brezi” që e botonte. Hajdeni poshtë t’ua jap nja dy numra që i kam, i tha ai. Lavdimit nuk iu dha t’i thotë që t’ia dërgonte me anë të ndonjë nxënësi që kishte atje plot, po i shkoi mbas, zbritën shkallët e dolën në oborr.