Home LIFESTYLE Kërcënohet drejtori i Spitalit të Tetovës

Përgjegjësi i sektorit për resurse njerëzore në Spitalin Klinik të Tetovës ka kërcënuar drejtorin Florin Besimi. Kjo është bërë e ditur nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila njoftoi se Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, ka ngritur kallëzim penal kundër R.T, 41 vjeçar nga Tetova, për shkak të dyshimeve se ka kryer veprën penale keqpërdorim të obligimeve zyrtare dhe autorizimeve” si dhe “rrezikim të sigurisë”. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë këtij viti, i denoncuari i punësuar në Spitalin Klinik të Tetovës, përgjegjës në Sektorin për resurse njerëzore, përmes telefonit celular ka kërcënuar personalisht dhe ka ofenduar drejtorin e Spitalit Klinik të Tetovës Florin Besimi. Sipas policisë, i denoncuari në mënyrë të pautorizuar ka fotografuar me telefonin celular dokumente të klasifikuara dhe të paklasifikuara dhe kërkesa të Prokurorisë Publike Themelore për zhvillime të ndryshme, të njëjtat i ka kopjuar dhe i ka ruajtur në zyre. Drejtori Besimi ka konfirmuar rastin dhe ka thënë se e ka lënë në dorë të organeve të drejtësisë që të merren me rastin. /KOHA