Home SPORT Juventusi kërkon talentin Han, por duhet të negiociojë me Kim Jong-un

Juventusi ka piketuar një talent të jashtëzakonshëm për t’ia shtuar radhëve të bardhezinjve, koreano-veriorin Han Kuang-song, i cili po shkëlqen në Serinë B me fanellën e Peruxhias. Lojtari i cili u rrit në akademinë e Barcelonës, po bën hapat e parë në futbollin profesionist por që tani ka lënë mbresa dhe bardhezinjtë janë të gatshëm të rrëmbejnë 19-vjeçarin.

Por ka një problem shumë të madh, që për të siguruar futbollistin, do të duhet të negociohet direkt me shtetin e Koresë së Veriut, me personat e rrethit të ngushtë të liderit Kim Jong-un.

Klubi i Peruxhias ka treguar vështirësitë e mëdha që ka në administrimin e lojtarit, i cili nuk u lejua nga regjimi në Korenë e Veriut as të dilte në studiot e RAI-t për një intervistë. Gjithçka kishte qenë gati, kur futbollisti kishte marrë një telefonatë nga një person i afërt me Kim Jong-un, i cili e kishte detyruar të anullonte gjithçka.

“Të negociosh me Korenë e Veriut është e pamundur, pasi ata flasin direkt me lojtarin. E ka të ndaluar të dalë në televizion, përndryshe e riatdhesojnë nëse kundërshton”, ishin fjalët e presidentit Masimiliano Santopadre për “La Stampa”.

Sikur të mos mjaftonte kjo situatë, ku për trasnferimin e lojtarit duhet diskutuar me përfaqësues të regjimit, Juventusi gjendet në pozicionin e vështirë ku duhet të vendosë nëse do të financojë shtetin e Koresë së Veriut apo jo. Kjo, për faktin e thejshtë se një përqindje e të ardhurave të të gjithë personave që punojnë jashtë Koresë së Veriut, derdhet direkt në arkat e shtetit. Që do të thotë se sado që Juventusi të paguajë për rrogën e futbollistit, gjysma apo më shumë do të përfundojë për të financuar regjimin e Kim Jong-un. /vipsport