Home LAJME Jolevski: NATO nuk ka kërkuar nga Maqedonia vendosjen e mbrojtjes raketore

NATO nuk ka kërkuar ende vendosjen e mburojës antiraketore në Maqedoni, thotë ministri i Mbrojtjes Zoran Jolevski.

Deklarata u bë në intervistën për Radion Maqedonase, duke iu përgjigjur interesit të gazetarit, në lidhje me masat që ka ndërmarrë NATO për mbrojtjen e Ballkanit nga kriza ukrainase.

Jolevski tha se deri tani, Aleanca Veri-Atlantike nuk ka kërkuar vendosjen e mbrojtjes antiraketore, ndërsa rikonfirmoi se “Maqedonia sheh të ardhmen e saj si anëtare e strukturave euroatlantike, si pjesë e NATO-s dhe e BE-së”.

“Ne vazhdojmë me përpjekjet dhe me prezantimin e të arriturave, të reformave, me qëllim që të bëhemi sa më shpejt anëtarë të këtyre institucioneve”, tha ministri.

Ai tha se, pavarësisht nga aspiratat për në NATO, Maqedonia si shtet sovran zhvillon paralelisht bashkëpunim edhe me vendet e tjera me të cilat ekziston interesi i përbashkët për bashkëpunim dypalësh.

“Jo vetëm me Federatën Ruse dhe me Ukrainën, por edhe me Poloninë, Republikën Popullore të Kinës dhe me një spektër të gjerë vendesh të tjera”, tha Jolevski.