Home LAJME Januzaj: Dua të bëhem lojtari më i mirë në botë

Pjesë e intervistës ishte edhe talenti i ‘Djajve të Kuq’, Adnan Januzaj, i cili është i fokusuar vetëm tek ekipi i Old Traffordit. Për gjithçka, ai thotë se vendos babai i tij, Abedini.

“E kam babanë prapa, për cilëndo kombëtare që më thotë babai të luaj, do të luaj. Do ta dëgjoj, sepse kam ardhur këtu me babanë dhe ai i di të gjitha. Për momentin, unë jam i koncentruar tek Manchesteri”, theksoi Januzaj. Ai tregon se është duke kaluar momente të mira në Manchester dhe se ka mundësi të mira të qëndroj në këtë ekip, ku dëshiron ta shkruajë historinë dhe të bëhet lojtari më i mirë në botë.

Ai synon ta fitojë titullin në Premierligë me Manchesterin, ndërsa thekson se pozita e tij e preferuar është ajo e 10-shit, por që mund të luajë edhe në krahë. “Prej fillimit kam dashur të luaj këtu, më është dhënë rasti dhe kam shënuar dy gola. Është ndjenjë shumë e mirë për mua, për familjen dhe për tifozët. Kam punuar shumë dhe kam ushtruar dhe kam dhënë gjithçka nga vetja. Do ta jap maksimumin dhe dua të bëhem lojtari më i mirë në botë”, vijoi ai.

Januzaj junior tregon se ka marrëdhënie të mira me Van Persie, Evra etj, kurse më së shumti mëson nga veterani Ryan Giggs. Ai e ka falënderuar menaxherin Sir Alex Ferguson për rastin që ia ka dhënë. Ai premton gola të tjerë për tifozët që ka në mbarë botën, derisa Kosovën e konsideron si vend të veçantë për të, ku vjen ta shohë familjen, me të cilën është mjaft i lidhur.