Home LAJME Ivanov e priti zëvendëskryeministrin turk Akdogan

ivanov

­ Presidenti i Republikës së Maqedonisë Gjorge Ivanov sot e priti Jalçin Akdogan, zëvendëskryetarin e Qeverisë të Republikës së Turqisë. Në takim, ashtu siç kumtoi kabineti i Ivanov, të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur kënaqësi nga marrëdhëniet bilaterale miqësore tradicionale mes të dy vendeve dhe dialogun politik të vazhdueshëm në të gjitha nivelet.

“Duke e uruar suksesin e zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Turqisë, presidenti Ivanov shprehu bindje se edhe me qeverinë e re bashkëpunimi jo vetëm që do të vazhdojë, por edhe do të intensifikohet në të gjitha fushat nga interesi i përbashkët”, thuhet në kumtesë.

Në takim është përshëndetur trendi i lartpërmendur që e shënon bashkëpunimin ekonomik, me ç’rast presidenti Ivanov ka potencuar se edhe më tutje ekzistojnë potenciale të pashfrytëzuara nga të dyja palët për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik. Në atë kontekst ishin shqyrtuar mundësitë për investime në shumë fusha, siç janë kultura, arsimi dhe turizmi, me theks në zhvillimin e turizmit kulturor­historik.

Presidenti Ivanov dhe Akdogan kanë këmbyer mendime për ngjarjet aktuale në të dy vendet, si dhe për gjendjet me krizën migruese në rajon dhe në Evropë. Në raport të prioriteteve të jashtme politike të Republikës së Maqedonisë, presidenti i Maqedonisë ka theksuar se shteti ynë lartë e vlerëson përkrahjen e Republikës së Turqisë në raport të integrimit të Republikës së Maqedonisë në NATO dhe ka shprehur bindje se edhe në të ardhmen Republika e Turqisë do të vazhdojë të jetë promotor i fuqishëm i aspiratave euroatlantike të Maqedonisë.

Të dy bashkëbiseduesit kanë shprehur kënaqësi nga bashkëpunimi i deritanishëm në suazat e Aleancës së civilizimeve dhe bindjes se tradita e respektit të dallimeve edhe më tutje do të afirmohet.

Njëherit, presidenti Ivanov ka dërguar urim për hapjen e zyrave të TRT dhe agjencisë së lajmeve Anadoll në Republikën e Maqedonisë me shpresë se do të kontribuojnë drejt njohjes më të mirë të opinionit me ngjarjet rrjedhëse. Presidenti i Maqedonisë ka shprehur falënderim për përkrahjen e Qeverisë të Republikës së Turqisë dhe Agjencisë turke për bashkëpunim dhe koordinim TIKA, përmes realizimit të shumë projekteve në Republikën e Maqedonisë.

Presidenti Ivanov ka shprehur falënderim të veçantë për përkrahjen për hapjen e Qendrës së parë urgjente të Klinikës universitare për sëmundje të fëmijëve në Republikën e Maqedonisë, që u zbatua nën përkrahje të bashkëshortes së tij, Maja Ivanova.

Në atë drejtim, janë këmbyer mendime rreth mundësive për zgjerim të bashkëpunimit me agjencinë TIKA edhe në periudhën e ardhshme.