Home LIFESTYLE Ish portieri i mirënjohur befason për Kosovën

Çdo humbje shoqërohet me kritika. Sidomos kur Shqipëria pësoi të dytën radhazi në këto kualifikuese apo kur ndaj Izraelit nuk bëri përjashtim nga paraqitjet e fundit zhgënjyese. Pavarësisht diskutimeve për interpretimin e rregullores nga arbitri turko-gjerman, sjellja jashtë natyrës së tij nga Berisha, ka bërë edhe më shumë përshtypje sesa vetë rezultati i takimit apo edhe zëvendësimet e De Biazit që e bënë Shqipërinë ta mbylle me tre sulmues një ndeshje kur ishte me nëntë veta në fushën e lojës.

Për një ish-portier si Arjan Beqaj, sjellja e Etritit është e gabuar, por ai nuk preferon që askush nga kuqezinjtë të “kryqëzohet”. Madje as trajneri. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-gardiani i Kombëtares analizon episodin e Berishës dhe komenton kuqezinjtë deri në këtë fazë të kualifikueseve, duke prekur edhe objektivat…

Si e patë paraqitjen e fundit të Shqipërisë me Izraelin?

Nisja nuk ishte përllogaritur që të luhej në kushte të tilla, pasi rrjedha e takimit ndryshoi pas penalltisë dhe kartonit të kuq. Mirëpo, në futboll ekzistojnë edhe të tilla episode. Duke qenë me një lojtar më pak që në minutat e para të lojës, për ekipe si Shqipëria nuk është e lehtë që të luhet. Siç e pamë, gjërat u vështirësuan shumë. Në këtë moment, e rëndësishme është që të ruash qetësinë dhe të presësh momentin tënd.

Diskutimet për sjelljen e ekipit me dhjetë veta kanë qenë të ndryshme, pasi për disa ekipi luajti dobët, ndërkohë që Altin Lala është shprehur se Shqipëria mund të barazonte…

Në një moment të tillë, ekipi në inferioritet numerik nuk mund të diktojë ritmin e ndeshjes. Përkundrazi, është shumë herë më mirë për të që ta ulë, nëse mundet. Shqipëria bëri atë që bën çdo ekip kur humb një futbollist, përveç ekipeve shumë-shumë të mira dhe shumë-shumë të mëdha, të cilat diktojnë edhe kur janë në inferioritet.

Kukeli, sërish qendërmbrojtës pas ndëshkimit të Gjimshitit. E drejtë?

Kukeli e ka kaluar një herë atë provë dhe e ka bërë një kompeticion si Europiani. Sipas meje, ishte zgjidhje logjike dhe më e mira që mund të bëhej në atë moment.

Berisha është krahasuar shpesh me ju për qetësinë, por në këtë ndeshje u transformua…

Shikoni, e përsëris edhe një herë që momenti kryesor i këtij takimi ishte penalltia dhe kartoni i parë i kuq. Që nga ky fragment i lojës, çdo futbollist që është në fushë e ka shumë të vështirë ta ruajë qetësinë kur e di që po luan në inferioritet numerik.

Berisha ka treguar që asnjëherë nuk e humb qetësinë dhe ky është një nga virtytet e tij, madje që e kanë ndihmuar shpesh të bëjë diferencën dhe të bëjë ndeshje të mira. Në futboll, çdo gjë që futet në kokën tonë dhe nuk ka të bëjë me ndeshjen, sigurisht që ndikon në mënyrë negative. Berisha, duke parë se ndeshja kishte marrë një rrjedhë të keqe, edhe si më i qeti, e pati të pamundur të ruante qetësinë.

Por është një nga lojtarët kryesorë të skuadrës…

Ishte vetëm një moment i keq. Megjithatë, mendoj se pavarësisht kësaj ndeshjeje, do ta ndihmojë edhe vetë Berishën për të ardhmen.

Personalisht, kujtoni ndonjë rast të ngjashëm si ai i Berishës?

Personalisht, mund ta kuptoj gjendjen shpirtërore të Berishës, por asnjëherë nuk kam reaguar si ai. Por, nuk duhet të harroni në asnjë moment që futbolli është adrenalinë, është tension, dëshirë për të fituar, lojtarë që janë të lodhur dhe në atë moment të vështirë të skuadrës, është e vështirë të ruash qetësinë dhe mbi të gjitha nuk pranon të humbësh. Është një ndjesi e veçantë për futbollistët, por e pakuptueshme për ata që e ndjekin nga jashtë.

Duket sikur po e justifikoni…

Jo, jo, absolutisht. Sigurisht që një veprim i tillë është gabim që i kushtoi ekipit. Megjithatë, Berisha ka bërë aq shumë gjëra të mira për kombëtaren sa një gabim mund ta bëjë. I falet, sado i madh që të jetë.

Në kuadrin e gabimeve, Berisha mori edhe faturën në golin e parë të Spanjës, një ndeshje para Izraelit…

Gabimet janë pjesë e lojës. Më tregoni një futbollist që nuk ka gabuar? Por, për portierin, për fat të keq edhe gabimi më i vogël paguhet dhe është shumë i dukshëm, ndryshe nga lojtarët. Megjithatë, nuk duhen vënë në dyshim cilësitë e tij për asnjë moment. Kjo, për atë që ka dhënë, për atë që ka treguar. Është një nga arsyet që e çuan Shqipërinë në Europian. Një nga lojtarët kyç për ekipin.

Prandaj, nuk duhet që të jemi kaq të ashpër në kritikat që bëjmë për këta lojtarë. Mos harroni asnjëherë që këta na kanë bërë krenarë për Shqipërinë. Kanë ngritur lart emrin e futbollit shqiptar dhe nuk duhet që për një ndeshje, një gabim apo dy të tillë, të harrohen të gjitha këto. Jam dakord që futbolli gjykohet gjithmonë mbi atë që shohim, mirëpo asnjëherë nuk duhet t’i harrojmë gjërat dhe t’i bëjmë zero.

Dakord, por në gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi, Shqipëria ka marrë vetëm një barazim dhe një fitore (me Gjeorgjinë dhe Maqedoninë) dhe ka katër humbje radhazi (Portugalinë, Serbinë, Spanjën dhe Izraelin)Për mua, futbolli është gjithmonë provë. Çdo stërvitje apo çdo ndeshje është e tillë. Çdo futbollist kalon çdo ditë në një provë. Ky nuk është justifikim, përkundrazi po them që askush nuk duhet të kalojë në vetëkënaqësi se luajti në Europian. Mirëpo, as ne nuk duhet ta harrojmë që ishin vetë këta lojtarë, ky ekip që ngritën kërkesat e njerëzve në Shqipëri. Është puna e tyre, e cila ka bërë tashmë që askush të mos kënaqet as kur Shqipëria barazon. Mjaft të ktheni kokën pas rreth pesë apo gjashtë vite, kur Shqipëria nuk kishte shumë fitore…

A e ka kaluar Shqipëria provën në këtë start kualifikuesesh?

Faktikisht, ndeshja me Izraelin nuk duhej humbur. E them këtë duke parë ecurinë e skuadrës së fundmi. Mirëpo, Izraeli është një ekip i paparashikueshëm. E kam ndjekur edhe vjet se ka qenë në të njëjtin grup me Qipron. Nuk është një skuadër e keqe. Ka lojtarë mjaft cilësorë dhe në çdo moment kur i jepet mundësia, e vendos çdo kundërshtar në vështirësi.

Si i vlerësoni zëvendësimet, Shqipëria ishte me nëntë dhe e mbylli me 3 sulmues?

Nuk jam nga ata njerëz që kritikoj në momentin e parë të keq të dikujt. Nuk dua të gjykoj De Biazin. Nuk dua ta bëj diçka të tillë në këtë moment as për lojtarët. E theksoj që unë jam krenar për këtë ekip. Për atë që dhanë për futbollin tonë. Sigurisht që në këtë moment është e thjeshtë të kritikojmë. Sipas meje, ky ekip e ka treguar që ka forcë për të gjetur rrugën dhe të kthehet prapë te lojërat e mira dhe te suksesi.

Ku e projektoni Shqipërinë në fund të kualifikueseve?

Spanja dhe Italia janë dy ekipe favorite absolute në grup. Shqipëria, në rast se do të arrijë vendin e tretë, sipas meje është sukses. E them këtë sepse pavarësisht se është e vështirë për të arritur kualifikimin, ekipi ruan një lloj niveli të caktuar. Duke ruajtur një bazë, në momente të caktuara gjatë kualifikueseve mund të arrihet edhe ajo që u sigurua në Europian.

Do të ishte dështim nëse nuk e arrin vendin e tretë?

Për mua, vendi i tretë është një objektiv më se i realizueshëm dhe ky ekip ka treguar që ka cilësi për të arritur vendin e tretë. Në rast se nuk arrin vendin e tretë, nuk është mirë për këtë ekip.

Si e keni parë Kosovën në ndeshjet e para zyrtare?

Kam pasur rastin që ta ndjek ndeshjen me Ukrainën. Ishte një lojë shumë e mirë për një ekip kaq të ri. Kosova është një skuadër e re dhe në ndërtim, por në momente të caktuara mund të paguajë “gabimet” e moseksperiencës. Unë jam i sigurt se në dy apo tre vitet e ardhshme do të ketë shumë përmirësim.

Beqaj në të ardhmen, si përgatitës te Shqipëria apo te Kosova?

Për momentin jam trajner portierësh në Kombëtaren e Qipros. Është një eksperiencë e re për mua pas pesë vitesh në ekipin që isha. Nuk dua të bëj shumë plane, pasi kam një kontratë edhe një vit e gjysmë këtu. Tani jam në Qipro, por jam i gatshëm që të ndihmoj futbollin tonë në rast se do të më kërkohet në një moment që edhe unë të jap kontributin tim.

The post Ish portieri i mirënjohur befason për Kosovën appeared first on Shqipmedia.