Home SPORT Inzaghi, trajner i ri i Milanit

Filippo-Inzaghi_h_partb

Pas një takimi që zgjati mbi 3 orë nuk pati tym të bardhë, megjithatë emri i trajnerit të ri të Milanit u mor vesh. Ishin të pranishëm presidenti Silvio Berlusconi, Adriano Galliani, Fedele Confalonieri, si dhe i përzgjedhuri Filippo Inzaghi. Në fakt nuk mund të konsiderohet ndonjë surprizë e madhe sepse SuperPippo, ashtu siç prisnin të gjithë, është zgjedhja e shoqërisë për t’i zënë vendin Clarence Seedorf, anëtarit tjetër të armatës së vjetër, që nuk e bindi sa duhej presidentin Berlusconi për të vazhduar misionin e nisur pas shkarkimit të Allegrit.

Me largimin pa dëshirën e holandezit priten telashe të reja për shoqërinë milaneze, sepse Seedorf prej kohësh ka paralajmëruar se do të respektojë me vendosmëri kontratën që i skadonte në Qershorin 2016. Në këtë garë të ethshme, Inzaghi nuk ishte i vetëm sepse një kandidat i fortë ishte edhe trajneri i Sevillas, Unai Emery, por ky i fundit u zhduk nga skena për t’ia lënë Milanin, milanezëve, pasi po shkon drejt rinovimit me skuadrën spanjolle.

Kështu Inzaghi është trajneri i ri, ndonëse mbeten vetëm disa detaje të vogla për t’u sqaruar mes palëve. Pas një karriere të lavdishme me fanellën e Djajve të Kuq, Pippo braktisi futbollin e luajtur 2 vjet më parë, për të nisur menjëherë aventurën si trajner brenda të njëjtës familje, duke drejtuar skuadrën e të rinjve të Milanit. Pa nisur ende zyrtarisht detyrën e re, Inzaghi ka marrë një mesazh promovues nga ish trajneri i tij. Carlo Ancelotti, aktualisht në stolin e Realit të Madridit, deklaroi se 40-vjeçari ka entuziazëm, ka fituar eksperiencë me të rinjtë dhe tani është gati për të marrë në duar frenat e Milanit.