Home SPORT Iniesta ende nuk ka vendosur ku do të luajë sezonin tjetër

Mesfushori spanjoll mund të largohet nga Barcelona.

Andres Iniesta ka nënshkruar një kontratë të përjetshme me Barcelonën, e megjithatë, qëndrimi i tij te skuadra katalanase nuk është i sigurt.

Vet mesfushori 33-vjeçar ka ngritur dyshime në lidhje me këtë çështje, kur theksoi se brenda muajit prill do të marrë një vendim.

“Klubi do ta mësojë i pari çfarë do të bëj në të ardhmen. Është një vendim që duhet ta marr përpara datës 30 prill dhe dy janë opsionet: të qëndroj, ose të largohem nga Barcelona. Ideja ime nuk ka ndryshuar që nga momenti që rinovova kontratën me klubin”, tha Iniesta.

Së fundmi është folur shumë për një interes të klubeve kineze për kapitenin e Barcelonës.

Vitin e kaluar, në drejtim të Iniestës erdhën dy oferta nga vendi aziatik, njëra prej të cilave ishte një kontratë me pagë prej 35 milionë eurosh si dhe disa privilegje të tjera, ofertë që u refuzua nga futbollisti, që gjithsesi nuk e përjashtoi mundësinë që të përjetojë një aventurë të re në Kinë.