Home LAJME Ibrahimi: Nuk do të mbështesim qeverinë e Zaevit, ka kuadro të korruptuara...

беса

Zeqiria Ibrahimi i Lëvizjes Besa në Kuvendin e Maqedonisë gjatë seancës së sotme parlamentare tha se nuk do të mbështesin qeverinë e re të Zaevit pasi ka kuadro të korruptuara dhe të inkriminuara.

Sipas tij, kabineti i propozuar qeveritar nuk është reformë, por riciklim.

– Isha i bindur se ju e keni refuzuar bashkëpunimin me ne për shkak të platformës sonë të ridefinimit, por sot e marr vesh se ju keni refuzuar sepse nuk e keni përmbushur parimin tonë të parë – që në qeveri të mos ketë kuadro të korruptuara dhe të inkriminuara, tha Ibrahimi.

Ibrahimi pyet Zaevin se çfarë lavatriçe ka që kaq shpejt i pastroni njerëzit nga krimi dhe korrupsioni.

– I nderuari z. Zaev, qytetarët duan ta dinë se pse Katica Janeva nuk ngre padi për asnjë eksponent të lartë të BDI-së, por merret me mësues periferikë të Zajazit? A i keni falur ju ata apo ajo nuk ka informacione?, pyet deputeti Ibrahimi.

Mes shumë pyetjeve drejtuar Zaevit Ibrahimi parashtroi dhe pyetjen; Cili është mesazhi që jep Zaev me zgjedhjen e këtyre ministrave? A do të thotë kjo se njerëzit mund të vjedhin të korruptohe se në fund Zaevi do ju laj gjynahet dhe do i bëj ministra!?

– I nderuari z. Zaev, nëse juve partneri juaj dje ju imponoi Kryeparlamentarin, sepse ashtu na thatë vetë ju, dhe nëse sot jua ka imponuar edhe ministrat me dosje penale, a i bie kjo se qeveria juaj do të jetë e kapur nga BDI-ja, i drejtohet Ibrahimi Zaevit duke shtuar se BDI-së nuk i beson askush pos Zaevit.

Ibrahimi shtoi se ai ashtu si shumica në Lëvizjen BESA ka qenë i qëndrimit që ta votoj qeverinë e re.

– Kam qenë i qëndrimit që ta votoj qeverinë tuaj. Këtë kam dashur ta bëj për shkak të pritjeve të qytetarëve, për shkak të shpresës për reforma, për shkak të shqiptarëve të burgosur, për shkak të nxënësve e studentëve, për shkak të punëtorëve e pensionistëve, për shkak të nënave dhe të sëmurëve, ama më falni, unë nuk mund të jem mazohist. Nuk mund të jem kundër vetvetes. Nëse ju e keni ngatërruar reformën me riciklimin, unë – për fat të mirë – ende di t’i dalloj, tha gjatë seancës deputeti i Lëvizjes Besa.