Home LAJME Hoteli në Kala, investitor Ljubço Georgievski

Ish kryeministri dhe kryetar i VMRO-Popullores Ljubço Georgievski është investitori kryesor i hotelit të ri barok, të planifikuar nën Kala. Ky është shkurtimisht rezultati i një hulumtimi të Alsat M, lidhur me kompaninë “GM Invest Grup”, e cila të martën fitoi në ankand, truallin atraktiv me ofertë prej 44 euro m2. Sipas dokumenteve të Regjistrit Qendror, kompania blerëse “GM Invest Grup”, nga Strumica është në pronësi të plotë të një kompanie tjetër nga Strumica “AMG EDILHA”. Nga ana tjetër, kjo kompani, në përputhje me situatën aktuale, është një kompani e themeluar dhe në pronësi të një banori nga fshati Sekirnik të Bosilevës, por që ka një partner – kompaninë “VIP Proekt” nga Shkupi. Kompania nga kryeqyteti zotëron 2/3-at e depozitës së EDILHA-s, si dhe në faqen e saj të internetit thuhet se kompania nga Strumica është kompani simotër. Pronar i “VIP Proekt” është personi fizik Ljubço Georgievski, numri amë i të cilit korrespondon me ditën, muajin, vitin dhe vendin e lindjes së ish kryeministrit, asokohe nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Alsat M kërkoi që dje deklaratë për disa çështje nga kompania që fitoi ankandin publik, ndërsa sot kërkuam deklaratë edhe nga Ljubço Georgievski për investimin e planifikuar. Të paktën deri tani, nuk ka asnjë përgjigje nga asnjë prej tyre. Truallin që fitoi në ankand kompania simotër e kompanisë së Gjeorgjievskit, ishte vënë në shitje nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Ish kryeministri dhe partia që ai drejton, VMRO Popullorja, deri para zgjedhjeve parlamentare ishte në koalicion me partinë më të madhe opozitare LSDM, dhe kritikonte shpesh punën e ish partisë së tij VMRO-DPMNE-së.