Home LAJME Heshtje zgjedhore para votimit në Tearcë

kshz

Në mesnatë filloi heshtja zgjedhore në vigjilje të përsëritjes së votimit të nesërm në vendvotimin 2011 në Komunën e Tearcës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) mori vendim që të përsëritet votimi në vendvotimin 2011 në Komunën e Tearcës, në bazë të simulimit me të cilën u tregua se rivotimi mund të ndikojë në numrin e mandateve të fituara.

Agjencia për shërbime audio dhe audiovizuale i njoftoi radiodifuzerët se në bazë të Vendimit nga KSHZ-ja për përsëritje të votimit në vendvotimin nr. 2011, në Komunën e Tearcës përfshirë orën 19, më 25 dhjetor, vlejnë rregullat për heshtje zgjedhore.

Gjatë heshtjes zgjedhore, ndërpriten të gjitha format e prezantimit zgjedhor medial të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Sipas Kodit Zgjedhor, për shkelje të heshtjes zgjedhore konsiderohet transmetimi  i: çfarëdo lloj informate, fotografi, materiale audio dhe audiovizuale të lidhura me ose në të cilat marrin pjesë pjesëmarrës në zgjedhje; çfarëdo lloj formash të raportimit medial të cilat në mënyrë të hapur ose të fshehur janë në funksion të ndonjë fushate dhe mund të ndikojnë ndaj vendimit të zgjedhësve; të dhëna me të cilat fshihet identiteti i subjekteve politike dhe/ose individëve të përfshirë në incidente ose parregullsi në ditën e votimit; si dhe deklarata nga kandidatë në procesin zgjedhor, nga përfaqësues të partive politike dhe nga bartës të funksioneve në organet e pushtetit.

Në vendvotimin 2011 në Tearcë në Listën zgjedhore janë regjistruar gjithsej 714 votues. Më 11 dhjetor në votim kanë dalë 404 prej të cilëve 91 kanë votuar për VMRO-DPMNE-në, 87 për LSDM-në, 65 për Besën, 64 për PDSH-në, 53 për BDI-në, 25 për Aleancën për Shqiptarët dhe nga një për VMRO për Maqedoninë dhe për Koalicionin për ndryshime dhe drejtësi – Blloku i tretë.

Në Njësinë zgjedhore 6 sipas rezultateve fillestare të KSHZ-së, më shumë vota 40.599 fitoi BDI-ja, pastaj pason VMRO-DPMNE-ja me 26.135, LSDM-ja me 25.828, Besa me 25.054, Aleanca për Shqiptarët 17.970, PDSH-ja 16.225, VMRO për Maqedoninë 919 dhe Koalicioni për ndryshime dhe drejtësi – Blloku i tretë 239.

Sipas votave të fituara, më shumë deputetë, gjegjësisht 6 fitoi BDI-ja, VMRO-DPMNE-ja 4, Besa 3, LSDM-ja 3, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH-ja 2.

Rivotimi vjen si rezultat i pranimit të padisë së LSDM-së nga ana e Gjykatës Administrative të Republikës së Maqedonisë për shfuqizim të votimit në vendvotimin 2011 në Tearcë dhe padisë së VMRO-DPMNE-së kundër vendimit të KSHZ-së që të shfuqizohet votimi në vendvotimin 0396/1 në Gostivar.