Home LIFESTYLE Haradinaj, “komandanti” i UÇK-së që po i dorëzohet Listës Serbe!

Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i nominuari për kryeministër të Kosovës nga koalicioni PAN (AAK, PDK, NISMA),  dhe ish njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë fushatës elektorale ishte treguar shumë i ashpër sa i përket bashkëpunimit dhe përfshirjes së Listës Serbe në institucionet e Kosovës.

Ai madje kishte deklaruar se me krijimin e Qeverisë nga ai, përfundimisht do ta largojë Serbinë nga Kosova.

“E drejta jonë na bën  të fortë na bënë ata që jemi. Nëse i rrimë drejtës sonë besoni është e drejtë e Zotit dhe popullit që s’i këna bërë kujna keq do të na pranojnë të gjithë në të drejtën tonë. Nëse sot kërkesën e parë me largu Serbinë e thojmë më zë të madh ia thojmë veti e ua thojmë miqve që Serbia s’ka vend në Kosovë menjëherë kanë me pranu veq kanë me kqyr a e kemi përnime. Edhe besoni njëra nga punët është me heq Serbinë nga Kosova dhe më asnjë lloj ndikimi nuk do ta ketë Serbia në Kosovë”, kishte thënë Haradinaj në njërën nga tubimet elektorale.

Por rezultati nga zgjedhjet e 11 qershorit, e ku Haradinaj me koalicionin PAN mori vetëm 39 deputetë, dhe refuzimi i LDK-së dhe Vetëvendosjes për bashkëqeverisje, ka bërë që Haradinajt patjetër do t’i duhet të llogarisë në votat dhe bashkëpunimin me Listën Serbe, listë kjo që është nën kontroll të plotë të Beogradit, dhe gjitha shpresat për krijimin e Qeverisë t’i bazojë tek deputetët e minoritetit serb, ku  një refuzim i tyre për të hyrë në koalicion me Haradinajn, atëherë do të bënte që ai të mbesë pa shumicën në të cilën llogaritë.

Ramush Haradinaj insiston që qeverinë do ta formojë ai, duke llogaritur votat e minoriteve dhe disa deputetëve tjerë nga partitë shqiptare.,duke bërë që ai t’i dorëzohet Listës Serbe.

Me 20 votat e minoriteteve, e ku shumicën e tyre e ka Lista Serbe, Haradinaj, së bashku me 39 deputetët e siguruar nga PAN, duhet që të bindin edhe 2 deputetë tjerë nga dy blloqet tjera, LDK, AKR, Alternativa dhe Vetëvendosje që ta votojnë atë për kryeministër, në mënyrë që të sigurojë një shumicë prej 61 deputetësh, shumicë kjo që në bazë të Kushtetues së Kosovës zgjedh kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

“Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në nenin 95, pika 3 të Kushtetutës së Kosovës.

Por formimi i Qeverisë së bashku me Listën Serbe, Ramush Haradinaj, jo që do ta largonte Serbinë nga Kosova, por atë do ta bënte edhe më prezente në Kosovë, duke bërë që kjo qeveri të varej plotësisht nga serbët, derisa nuk ka një marrëveshje me partitë tjera për tu përfshirë në koalicion.

Ky do të ishte një rrezik permanent për Kosovën, pasi dihet se Lista Serbe vazhdimisht deklarohet se presidenti dhe kryeministri i tyre ndodhen në Beograd, dhe se do të jetë kundër formimit të ushtrisë së Kosovës, për të cilën madje kishin bërë edhe spot publicitar gjatë fushatës elektorale të tyre për zgjedhjet e 11 qershorit. E kur dihet që në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ushtria themelohet me ndryshime kushtetuese, e ku për këto ndryshime nevojiten 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, përfshirë edhe minoritetet.

“Kuvendi vendos të ndryshojë Kushtetutën me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve që mbajnë vendet e rezervuara dhe të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë”, thuhet në nenin 95, pika 3 të Kushtetutës së Kosovës.

Ndërsa, udhëheqësi i Listës serbe, ka thënë se do të parandalojnë çdo ndryshim të Kushtetutës ë Kosovës.

“Në periudhën e ardhshme përmes mandateve që do t’i marrim në Kuvendin e Kosovës do të parandalojmë ndryshimet kushtetuese, pastaj do të parandalojmë që të adresohen kufijtë e shtetit tonë dhe natyrisht që do të parandalojmë procesin e formimit të ushtrisë së Kosovës”, ka thënë Simiq drejtuar atyre që dëshirojnë të formojnë Qeverinë e ardhshme.

Ndërsa, koalicioni eventual mes LDK-së, që ka siguruar 30 deputetë së bashku me parterët e koalicionit, dhe Lëvizjes Vetëvendosje, me 31 deputetë do të bënin që shumica në Kuvend të sigurohej edhe pa përfshirën e Listës Serbe. Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte thënë se nuk ka asnjë kuptim që të formohet Qeveria duke u varur nga Lista Serbe.

“Nuk ka kuptim të formohet Qeveria duke u varur nga Lista Serbe dhe ne jemi të bindur që një Qeveri e varur nga Lista Serbe do t’i kishte dy kryeqytete, edhe Prishtinën edhe Beogradin”, kishte deklaruar Kurti.

Rreziku i krijimit të Qeverisë i varur nga Lista Serbe është paralajmëruar edhe nga shumë analistë dhe njohës të zhvillimeve në vend, ku sipas tyre në rast së Haradinaj krijon qeverinë me minoritetet, atëherë Qeveria do të jetë jo stabile dhe e varur tërësisht nga pakica serbe.

Ndërsa, se çfarë do të ndodhë me krijimin e Qeverisë mbetet të shihet pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë./Botasot