Home LIFESTYLE Hapet Panairi i Librit shqip “Tetova 2016”

Për të pesëmbëdhjetën herë me radhë nga dita e sotme deri më 29 tetor të këtij viti, do të jetë i hapur Panairi i Librit shqip “Tetova 2016”, i cili organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë të Maqedonisë, ndërsa do të marrin pjesë rreth 40 shtëpi botuese nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Abdulmexhit Saliu, theksoi se qëllimi i Panairit të Librit shqip është që të tërheq vëmendjen ndaj kulturës së leximit, ndërsa shtoi se tryezat e përbashkëta, diskutimet dhe trajtimi i problematikave me të cilat përballen çdo ditë shtëpitë botuese, përbëjnë një potencial efikas për avancimin cilësor të panaireve në të ardhmen.

“Ky panair është fryt i punës, sakrificave, bashkëpunimit dhe misionit tonë të përbashkët, që na lidh fortë dhe na mban të bashkuar, e ajo është gjuha dhe letërsia jonë shqipe. Panairi, një traditë tashmë e konsoliduar, nuk është vetëm një promovim i librave dhe autorëve, por është realiteti ynë i përbashkët kulturor”, u shpreh Saliu.

Ai shtoi se pjesëmarrja e shtëpive botuese nga të gjitha trojet shqiptare të rajonit, si dhe nga diaspora, jo vetëm që promovojnë libra dhe autorë, por edhe përforcojnë komunikimin kulturor ndër-shqiptar.

thumbs_b_c_36a82a85ae2c9f1a96442f90da560667

Kryetare e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se këto lloje të aktiviteteve dëshmojnë entuziazmin e madh në këtë fushë, i cili njëkohësisht sipas saj kërkon mbështetje institucionale, gjë e cila i bën ata më të qëndrueshëm.

“Ne si autoritete komunale kemi pasur parimin që të mbështesim ato aktivitete të cilat janë mirëmbajtur dhe kanë mbajtur veten e tyre fal entuziazmit dhe punës të të gjithëve që kanë punuar në këto organizime”, u shpreh Arifi.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë të Maqedonisë u themelua në vitin 2000 me seli në Shkup. Që nga themelimi i saj, ajo ka ngritur iniciativa qytetare për avancimin e kulturës dhe botimeve në gjuhën shqipe. Kjo shoqatë ka marrë pjesë në dhjetëra panaire vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa në vazhdimësi organizon panaire rajonale të librit në Tetovë, Shkup dhe Strugë.

The post Hapet Panairi i Librit shqip “Tetova 2016” appeared first on Shqipmedia.