Home LIFESTYLE Gjermanët me miliarda euro, Maqedonia me thërrime

Gjermania është kampione e Evropës për riciklimin e mbeturinave. Materialet e ricikluara në këtë shtet janë deri katër herë më të vlefshme se mbeturinat nga të cilat shkaktohen, shkruan gazeta KOHA. Në ekonominë më të fuqishme evropiane, riciklimi paraqet një industri me prosperitet të madh që qarkullon më shumë se 200 miliardë euro në vit. Për çdo vit rritet me nga 14 për qind dhe angazhon mbi 250 mijë punëtorë. Sipas të dhënave të Eurostat, shteti gjerman është më efikas në Evropë, me 66 për qind të mbeturinave të ricikluara, i pasuar nga Austria me 56 për qind dhe Sllovenia me 54 për qind. Sllovenia që ka numër të përafërt të banorëve me Maqedoninë, deri në vitin 2010 ka ricikluar 22 për qind të mbeturinave, duke dyfishuar këtë shifër pas gjashtë vitesh. Përgjithësisht, vendet e BE-së në Veri dhe Perëndim të Evropës, si Norvegjia, Suedia, Danimarka dhe Gjermania, kanë nivelin më të lartë të riciklimit, ndërsa vendet e Evropës Juglindore kanë nivele shumë më të ulëta. Qëllimi i Bashkimit Evropian është që shtetet anëtare të saja të riciklojnë së paku gjysmën e mbeturinave deri në vitin 2020, ndërsa deri tani këtë qëllim e kanë arritur vetëm gjashtë anëtare të BE-së.

VETËDIJE E ULËT PËR AMBIENTIN JETËSOR

Nga ana tjetër, Maqedonia përpunon vetëm 10 për qind për të mbeturinave të përgjithshme, që krijohet brenda një viti në shtet. Sipas të dhënave statistikore në vitin 2014, nga 1. 8 milionë tonë të mbeturinave, janë ricikluar vetëm 197 505 tonë. Sipas njohësve të ekologjisë dhe analizave të ndryshme, niveli kaq i ulët i përpunimit të mbeturinave në Maqedoni, që nuk përpunohen e ka burimin te kapacitetet shumë të dobëta për ruajtjen dhe klasifikimin si duhet të llojeve të ndryshme të mbeturinave, vetëdijen e ulët për ruajtjen e ambientit jetësor, por edhe te vonesat në ndërtimin e impianteve moderne për përpunimin e mbeturinave komunale për prodhimin e energjisë për ngrohje.

“Maqedonia, si shtet relativisht i vogël dhe jo fort i industrializuar, ka mungesë të madhe instalimeve për përpunimin e materialeve të ricikluara. Gjithashtu për amvisëritë aplikohen sisteme mjaft të kufizuara për seleksionim dhe riciklim, ndërsa nuk ekziston as objekt i centralizuar për seleksionimin e llojeve të ndryshme të fraksioneve, gjegjësisht mbeturinave”, përcjell KOHA analizën krahasuese për menaxhimin me mbeturina të forta në Maqedoni dhe Suedi e Agjencisë suedeze për mjedisin jetësor. Sipas saj, gati të gjitha skemat për riciklim në botën perëndimore janë të përkrahura me subvencione ose të financuara përmes taksave nacionale, kompensimeve apo programeve për përkrahje. Studimi vlerëson se metodat konvencionale pa mbështetje, është vështirë të vendosen dhe mirëmbahen, andaj nevojitet që të vendosen masa stimuluese edhe në Maqedoni. Analiza propozon që në Maqedoni të analizohet vendosja e sistemit seleksionues dhe grumbullimit të fraksioneve që shpaguhen më shumë në aspektin financiar, të analizohen kapacitetet vendore të përpunimit si dhe të nxitet zhvillimi i tyre.

“Në kushtet e tanishme të tregut nevojitet të vendoset edhe përkrahje financiare për riciklim përmes subvencioneve ose taksave ekologjike për deponimin alternativ. Duhet të përkrahen dhe mbështeten edhe programet dhe iniciativat lokale dhe rajonale të riciklimit”, thuhet ndër të tjerash në këtë analizë.

300 KG MBETURINA PËR KOKË BANORI

Nga organizatat joqeveritare që merren me problematikën e ekologjisë,l theksojnë se trajtimi i mbeturinave në çdo aspekt kërkon investime dhe vullnet politik.

“Mbeturinat nuk janë problem, por paraqesin mundësi. Çdo resurs është i shfrytëzueshëm dhe duhet të trajtohet si i veçantë. Vlerësohet se menaxhimi i drejtë me mbeturinat në Evropë mund të hapë me miliona vende të reja pune, për shkak se përdorimi i serishëm në 10 mijë tonë hap 22 vende të reja pune, ndërsa riciklimi hap edhe 7-8 vende të reja pune. Maqedonia ka potencial të madhe për shkak se kemi mbeturina bujqësore, lavërtare, komunale e kështu me radhe dhe nëse jemi të mençur, mund të lëvizim në drejtim të drejtë lidhur me mbeturinat”, thotë Bllazhe Josifovski nga OJQ “Ajde Maqedoni”.

Në ndërkohë, pritet që në të ardhmen Maqedonia të shfrytëzojë më shumë mbeturinat komunale. Sipas sasive të regjistruara në BE, vlerësohet se qytetarët në Maqedoni, në mjediset urbane prodhojnë së paku 300 kilogram mbeturina në vit për kokë banori, ndërsa së paku 150 kilogram për kokë banori prodhohet në mjediset rurale, që paraqet një potencial të madh për hapjen e vendeve të reja të punës dhe mundësi të re biznesi me përpunimin e mbetjeve të ndryshme. Ekologjistët thonë se problemet me menaxhimin e mbeturinave ekzistojnë edhe në kushtet e punës së deponive të ndryshme anekënd Maqedonisë, prej të cilave asnjëra nuk punon sipas normave evropiane të ndarjes së mbeturinave si qelq, plastikë e kështu me radhë, gjegjësisht mungon separimi apo ndarja e mirëfilltë e llojeve të ndryshme të mbeturinave.

Në ndërkohë, ngecjen me menaxhimin e plotë të mbeturinave të ndryshme në Maqedoni e konfirmojnë edhe analizat e Entit të Statistikës. “ Në Republikën e Maqedonisë,vetëm deponia Drislla në Shkup plotëson standardet minimale të BE-së të përcaktuara me direktivat e deponive. Prej 47 deponive, 13 janë me hapësirë prej 0 deri 5000 metra katrorë. Ekzistojnë edhe rreth 1000 deponi të egra, sidomos në viset rurale. Mungojnë edhe sistemet e integruara rajonale për menaxhimin me mbeturinat e forta dhe sistemet për menaxhimin me llojet e ndryshme të mbeturinave, përfshi edhe mbeturinat e rrezikshme“, vlerësohet në publikimin e fundit të Entit të Statistikës së Maqedonisë, “Ambienti jetësor 2015”.

Studimi thekson edhe mungesën e të dhënave të sigurta dhe gjithëpërfshirëse për substancat ndotëse dhe ndotësit, mungesën e sistemit të integruar në zgjidhjen e problemeve të ambientit jetësor, sidomos në menaxhimin me resurset ujore dhe të mbeturinave si dhe mungesën e investimeve kapitale për financimin e infrastrukturës në këto fusha , që në mënyrë shtesë e ngadalësojnë vendosjen e sistemit efikas për mbrojtjen e ambientit jetësor në Maqedoni.

Ndryshe, Gjermania në vitin 1991 miratoi Ligjin për paketim, që përcakton se çdo prodhues duhet të merr përgjegjësinë për prodhimin e tij edhe pas shitjes. Andaj u shpik sistemi i ndarë i grumbullimit dhe riciklimit të mbeturinave ose i ashtuquajturi sistemi dual. Shenjë e tij njohëse ishte “Pika e gjelbër”, që edhe sot e kësaj dite gjendet në të gjitha prodhimet që mund të riciklohen. Fakti se riciklimi është shndërruar në industri me potencial të lartë teknologjik mbështetet edhe nga të dhënat sipas të cilave edhe gjatë procesit të dizajnimit të prodhimeve mbahet llogari që ato më vonë më lehtë të riciklohen. Sot 40 për qind e plastikës së grumbulluar në Gjermani ndahet me kujdes sipas llojeve të ndryshme, ndërsa prej saj prodhohet 21 milionë tonë plastikë e re. Në fund vlen të theksohet se shpagimi i përpunimit të mbeturinave e tregon edhe fakti se një ton plastikë e re kushton ndërmjet 1200 deri 1400 euro, ndërsa një ton e plastikës së ricikluar kushton vetëm 500 euro.

PRODHOHET SHAMPOJA E PARË NGA “PLASTIKA E DETIT”

Flokë të pastër, por edhe mjedis më të pastër: kjo është ideja e shampos së parë të bërë nga mbetjet plastike, të mbledhura në mjedise ujore. Ajo do të jetë e përbërë në masën 25 për qind, sipas projektuesve, nga plastika e mbledhur në plazhe, oqeane dhe lumenj. Kjo shampo u krijua në partneritet me “TerraCycle”, e specializuar në riciklimin e mbeturinave. Produkti do të jetë në shitje këtë verë në Francë. Ky nuk është produkti i parë komercial që vjen nga riciklimi i mbetjeve që ndotin plazhet dhe oqeanet. Në vitin 2014 marka e modës “New Yorker” solli xhinset me pambuk nga riciklimi i plastikës detare. Vitin e kaluar, projektuesi Alexander Taylor, ka projektuar atletet Adidas, të krijuara nga një fije e hollë që vjen nga rrjetat e peshkimit dhe mbeturinat e tjera të hedhura në oqeane.