Home LAJME Gjakovarët kthehen kah Vetëvendosja

Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubimin e madh elektoral në Gjakovë.

Kandidatja për Kryetare të Komunës, Arbërie Nagavci prezantoi para qytetarëve Alternativën Qeverisëse të Vetwvendosjes për Gjakovën, me theks të veçantë në qeverisjen komunale të drejtë dhe profesionale, zhvillimin ekonomik, përkrahjen për bujqësinë, arsimimin cilësor, planifikimin e mirëfilltë urban, angazhimin dhe trysninë për kthimin e të pagjeturve, artin dhe kulturën, trashëgiminë kulturore, sportin, politikën mbështetëse për rininë, si dhe shëndetësinë.

Sekretari organizativ i Vetwvendosjes, Dardan Molliqaj, tha se Gjakova dhe Kosova janë qeverisur nga shumë koalicione mes LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe AKR-së, të cilat për 14 vite e kanë degraduar edhe Kosovën dhe Gjakovën. Ai ndër të tjera tha se gara e AKR-së në Gjakovë, është garë për ta shpëtuar AKR-në, rrjedhimisht vota për AKR-në në Gjakovë është votë për ta shpëtuar Pacollin dhe AKR-në, e për ta fundosur Gjakovën. Duke folur për haraçin në këtë Komunë, Molliqaj tha:

“Vota për AAK-në është votë për haraçin, vota për AKR-në, LDK-në dhe PDK-në është për vazhdimin e haraçit, ndërsa vota për VETËVENDOSJE!-në është votë kundër haraçit. Vota për PDK, LDK, AAK dhe AKR është votë për nënshtrimin e Kosovës ndaj Serbisë, është vonë për nënshtrimin e Kryeministrit Thaçi ndaj Kryeministrit Daçiq, dhe votë kundër bashkimit kombëtar, ndërsa vota për VETËVENDOSJE!-në është votë për bashkim kombëtar”, tha ndër të tjera Molliqaj.

Në fund të këtij tubimi, fjala ishte për Kryetarin e Lëvizjes Vetwvendosjes Albin Kurti.

Ai theksoi se kur fiton Vetwvendosje fiton demokracia, popullsia dhe gjithë shqiptaria,

“Kur fiton Vetwvendosje, atëherë fiton Gjakova dhe krejt Kosova”, tha Kurti.

Shitja që pushtetarët e deri tashëm ia kanë bërë Kosovës e Gjakovës, është dëshmi dhe konfirmim se këta janë hajna, që e kanë nxjerrë plaçkën e vjedhur në pazar.

“Është e domosdoshme që të lirohemi prej tyre, në mënyrë që të përfitojë Gjakova, qytetarët e Gjakovës, dhe e gjithë Kosova. Shansi për këtë është 3 nëntori, kur qytetarët do të votojnë për fitoren e demokracisë mbi diktaturën, për fitoren e zhvillimit mbi korrupsionin, për fitoren e Arbërie Nagavcit mbi gjithë kandidatët tjerë”, theksoi Kurti.

Gjakovën as Kosovën nuk mund ta zhvillojnë ata që kanë përfituar nga mungesa e zhvillimit. Pushteteve të pasluftës Gjakova përveç se nuk ua ka parë hairin, ua ka parë shumë sherrin. Me VETËVENDOSJE!-n në qeverisje, fshatrat e Rekës së keqe nuk do t’i hedhin në lum lakrat e tyre, sepse do të krijojmë tregun për prodhimet vendore, si dhe do ta instalojmë ujësjellësin në secilin fshat.

Lidhur me keqpërdorimet e shumta në Komunën e Gjakovës dhe luksin në rritje të Kryetarit të Komunës, Kurti tha:

“Gjakova duhet të lirohet nga ky kryetar i shtrenjtë. 3 nëntori është mundësia, Arbërie Nagavci është garancia”.

Duke folur për kandidaturën e Mimoza Kusarit, Kurti tha ajo po sorollatet nëpër Gjakovë me Audi Q7, që kushton rreth 70 mijë ose 80 mijë euro, dhe gjithandej me truproje, që kanë për detyrë t’ia ruajnë trupin prej popullit. “Mimozës nuk ka nevojë t’ia ruajnë trupin nga qytetarët e Gjakovës, por ka nevojë t’ia ruajnë mendjen prej Qeverisë dhe prej Pacollit. Pra, nuk i duhet truproje, por mendjeroje”, tha Kurti, duke shtuar se Mimoza e pati rastin ta ndihmojë Gjakovën si zëvendës Kryeministre tash e 3 vjet, por nuk e ka bërë një gjë të tillë. “Vonë është tash për mimozat, sepse mimozat nuk qelin në vjeshtë vonë. Ashtu siç mimoza nuk qel në vjeshtë vonë, edhe Pali duhet t’i palosë teshat palë-palë, sepse Arbëria është ardhmëria e Gjakovës dhe e Kosovës”, tha Kurti. “Pali përveç se i ka në qejf lojërat e fatit, ai e lexon Biblën. Kushdo që e ka lexuar sado pak Biblën, e di mirë çka shkruan aty për të korruptuarit, për ata që abuzojnë më pushtetin, për ata që keqpërdorin e vjedhin”, shtoi Kurti për Kryetarin në ikje të Komunës, i cili e ka shkatërruar Gjakovën.