Home LAJME FOKUS: BESA mund ta mbajë besën!

Ishte shumë e natyrshme paraqitja e një subjekti të ri politik i cili do t’i artikulojë nevojat politike të shqiptarëve në Maqedoni. Kjo për shkak se Marrëveshja e Ohrit, edhe pas 13 viteve nga nënshkrimi, nuk është zbatuar në tërësi, dhe kjo e bënë edhe më të qartë nevojën e një subjekti të ri politik të shqiptarëve në Maqedoni.

Kështu shkruan Xhelal Hoxhiq, në një editorial të publikuat në gazetën “Fokus”. Sipas tij, nëse kësaj i shtohet mosbesimi në institucionet shtetërore-partiake, organizimi i zgjedhjeve jodemokratike, shkatërrimin e mediumeve të pavarura, moszgjidhjen e çështjes së gjuhës shqipe deri në fund si gjuhë e dytë zyrtare dhe bllokimin e integrimeve në BE dhe NATO, atëherë është e çuditshme se si deri tani nuk është paraqitur ndonjë parti e re tek shqiptarët.

“Çka është e çuditshme? Nikolla Gruevski shumë më vështirë do të aktronte gjendje normale në këtë çmenduri shoqërore dhe forcë partiake të cilën e imponuan, nëse përreth tij nuk do t’i kishte poltronët politik Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçi, si dhe poltronët tjerë të cilët i përfaqësojnë bashkësitë tjera etnike: Kenan Hasipi, Amdi Bajrami, Nezhdet Mustafa, Avdija Pepiç, Ivan Stoilkoviç, dhe nëse doni edhe krerët e KOM-it dhe BFI-së”.

Hoxhiq shkruan se për të gjithë këta, ajo që i bashkon është se mendojnë se si t’i vardisen Gruevskit, më shumë sesa mendojnë për gjendjen e popullit të tyre, edhe pse zëshëm aktrojnë se e përfaqësojnë. Dhe e gjithë kjo me qëllim t’i ruajnë karriget e tyre që i kanë, e që janë me ndikim të vogël.

Sipas autorit, një kohë të gjatë nuk ka përgjigje për politikat e dëmshme të Gruevskit, nga ana e bashkësive tjera etnike. Ndërsa, të gjitha sondazhet tregojnë se mbi 90 për qind e shqiptarëve nuk i aprovojnë politikat e Gruevskit. Ndërkohë, PDSH dhe BDI, të cilat përfaqësojnë shumicën e shqiptarëve që kanë dalë në votime, me pozicionet e tyre, po vendosen në shërbim të politikave të Grevskit.

“Është e qartë se VMRO e injoron marrëveshjen e Ohrit me aq sa mundet. Është çështje kohe edhe sa do ta mund ta bëj këtë. Ali Ahmeti në një rast kishte thënë: Në Maqedoni nuk ka hapësirë për shumë parti politike të shqiptarëve. Dy partitë më të mëdha në Maqedoni janë më reale dhe produktive për shqiptarët e Maqedonisë, ndërsa e treta do të jetë vetëm e dëmshme.

Kjo është struktura mendore e ‘demokratit’ Ali Ahmeti, i cili së bashku me Mendu Thaçin janë pjesë e trekëndëshit të cilin e udhëheq Gruevski. Gruevski është në krye të qeverisë, BDI është si plastelinë partner, PDSH është plastelinë opozitë e koalicionit qeverisës, por edhe të BDI-së. Të gjithë së bashku janë komod në këtë çmenduri shoqërore”, shkruah Hoxhiq, në këtë të përditshme në gjuhën maqedonase.

Autori thekson se për fat të keq as opozita e udhëhequr nga LSDM-ja nuk arriti që me të gjitha forcat vetë të japë ofertë tek votuesit shqiptarë, pas tentimit të bëjnë koalicion me PDSH-në. Opozita nuk kishte vizion se si ta thyej trekëndëshin Gruevski-Ahmeti-Thaçi. Sipas tij, edhe në ato 370.000 vota të opozitës në vitin 2011, si dhe në ato 400.000 vota për Stevo Pendarovskin ka një numër të madh të votave nga shqiptarët dhe bashkësitë tjera etnike, çka për fat të keq opozita nuk diti t’i shfrytëzojë.

“Për shkak të gjithë këtij konteksti, të gjithë ata që Maqedonisë i dëshirojnë një të nesërme më të mirë, Lëvizjes BESA i dëshirojnë të jetë parti autentike, e cila në thelb do të dallohet nga BDI, PDSH dhe partitë e tjera e bashkësive më të vogla etnike që janë në koalicion me VMRO-në.

Pohoj se ka hapësirë për parti të re të shqiptarëve në Maqedoni. Gjithçka që duhet të bëj BESA është të tërheq një vijë të trashë në të cilën Gruevski me BDI-në dhe PDSH-në do të jenë në një anë, kundër interesit të mbi 90 për qind të shqiptarëve në Maqedoni, në anën tjetër”.

Kjo vijë e trashë nuk duhet shënuar me nacionalizëm ngase ajo shumë lehtë mund të shlyhet nga ana e regjimit dhe propagandës së tij, mendon Hoxhiq.

Sipas tij, vija duhet shënuar me program të qartë në të cilat do të ketë propozime për të gjithë qytetarët të jenë të barabartë, si dhe zgjidhje të varfërisë dhe papunësisë karshi qindra minona eurove të derdhura për përmendore dhe sheshe.

“BESA duhet të mësojë shumë edhe nga gabimet e Imer Slemanit dhe Rufi Osmanit.

Së pari, VMRO, PDSH dhe BDI do të jenë të bashkuar, të mos lejojnë që të mbijetojë një subjekt i pavarur tek shqiptarët në shtet. E dyta, çdo flirtim me Gruevskin do të nënkuptonte ‘djegien’ e tyre ende pa qëndruar në këmbë. BESA, partnerët e saj politik duhet t’i kërkojë në të gjithë kundërshtarët e regjimit”.

Hoxhiq shkruan se BESA duhet t’i përzgjedh me kujdes partnerët, ndërsa ato partneritete duhet të bazohen në orientime të qarta programore dhe jo vetëm në tentime deklarative. “Pra, BESA ka hapësirë, çështja është vetëm se si dhe në çfarë forme do ta shfrytëzoj”, shkruan Xhelal Hoxhiq në gazetën “Fokus”, transmeton Shenja.