Home LAJME Fisi fal gjakun për vrasjen pa dashje, dalin nga ngujimi dy futbollistët...

vecaj-1

Dy djemtë e fisit Vecaj, futbollistët Stivi e Uendi, nuk do të qëndrojnë më të ngujuar. Pasi qëndruan prej një jave të mbyllur brenda katër mureve për shkak se një i afërmi i tyre vrau pa dashje një fqinj, Stivi dhe Uendi, djem xhaxhallarësh, i pari luan me Adën dhe i dyti me Vllazninë, tashmë do t’i rikthehen sërish fushës së stërvitjes dhe ndeshjeve të ekipeve respektive.

Fisi Vecaj është falur nga fisi Bungu në Shkodër për shkak se vrasja nuk ka qenë me dashje. Gjithsesi, dy futbollistët bashkë me pjesën tjetër të fisit Vecaj qëndruan të ngujuar edhe në shenjë respekti ndaj viktimës, por edhe nga frika se gjakësi mund t’u marrë jetën duke qenë se ende dy fiset nuk ishin ulur për të biseduar për të gjetur një zgjidhje.

Pas një jave, pleqtë e dy fiseve në fjalë kanë arritur që të shtrëngojnë duart dhe fisi Bungu ka falur fisin Vecaj, sepse vrasja nuk kishte qëllime kriminale. Autori i vrasjes, Ndokë Vecaj, vazhdon të jetë në dhomat e paraburgimit pas masës së sigurisë “arrest me burg” nga gjykata e Shkodrës.

Por ende, aq më tepër në zonat rurale, ai që jep zgjidhje nuk është ligji, por kanuni. Edhe pse absurd, në raste të tilla askush s’do t’ia dijë nëse autori është apo jo në burg për të vuajtur dënimin, por kërkohet “koka” e dikujt duke e cilësuar si e vetmja mënyrë për të larë gjakun. Fatmirë sisht, në këtë rast është gjetur gjuha e paqes, pajtimit e faljes duke i dhënë liri mes të tjerëve edhe dy futbollistëve Stivi e Uendi Vecaj./Panorama