Home LAJME Fazliu: Më lehtë do të punësohen rusët dhe kinezët, se shqiptarët

Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për nëpunësit administrativë dhe propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të punësuarit në sektorin publik, ashtu si e kemi thënë edhe në shkurt të këtij viti kur u miratuan këto ligje, janë tërësisht të papranueshëm për shqiptarët dhe për Partinë Demokratike Shqiptare, ka thënë në foltoren e Kuvendit, deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu. Ai ka paralajmëruar për rrezikun në rritje që i kanoset administratorëve shqiptarë nga nacionalizmi i verbëruar maqedonas i BDI-së.

“Këto dy ligje janë vazhdimësi e dogmave të mendësisë së vjetër, ku administrata duhej të ishte tërësisht e politizuar, e partizuar e njëetnike. Mentaliteti i vjetër i palës maqedonase nuk paraqet risi.

Është mendësi 75 vjeçare , e ata mendojnë se administratat duhet të jetë patjetër një etnike dhe në shërbim vetëm të maqedonasve. Ne shqiptarët çdo ditë e më tepër na habit fakti se prej nga ky mentalitet i vjetër i maqedonasve, haset sot tek BDI-ja.

Si është e mundur që këta të BDI-së e shohin veten në çdo projekt të VMRO-së? Te stema, pra te luani i VMRO-së, thanë që e shohin veten aty afër , ndoshta këtu kanë të drejtë se ata e shohin veten të nënshtruar poshtë luanit dhe kjo ndoshta është arsyeja që me shpejtësi e pranuan se simbolikë më të fortë për raportet e koalicionit, sesa luani, nuk ka!

Kështu ndodhi edhe me këto dy ligje që i miratuan në shkurt. Atëherë BDI nuk përkrahu asnjë nga 43 amendamentet e PDSH-së, me të cilat ndryshohej rrënjësisht karakteri monoetnik i ligjit. Përdorimi i gjuhës shqipe në administratë u bë i pamundur, falë mos përkrahjes së BDI-së”, tha Fazliu.

Për t’u punësuar në administratën shtetërore përparësi BDI i dha një rusi dhe një kinezi e kurrsesi një shqiptari, shtoi ai më tej, duke rikujtuar se nuk pranuan as heqjen e rangimit të universiteteve, nuk pranuan as edhe zgjerimin e kompetencave të Sekretariatit për Marrëveshjen e Ohrit. Kërkuam me amendament të hiqet kriteri i rangimit të universiteteve sipas rangimit vendor dhe atij të huaj. Edhe kjo kërkesë e jona u hodh poshtë nga BDI. Kërkuam zgjerimin e kompetencave të Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, i cili përveçse të japë pëlqim për planet vjetore, të ketë të drejtë të aprovojë çdo vend pune, për çdo avancim, transfertë dhe sistemim.

“As këto amendamente nuk gjetën mbështetjen e BDI-së. Ashtu si çdo ligj tjetër që ka kaluar në këtë Kuvend, gjithmonë me miratimin e BDI-së, Ligji për Nëpunës administrative dhe ligji për të punësuarit ne sektorin publik do të vulosë diskriminimin dhe mohimin e të drejtave elementare të shqiptarëve në këtë shtet. Dhe që e keqja të mos ketë fund, përkujdeset koalicioni VMRO-BDI me propozimet për ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për nëpunësit administrativë dhe për të punësuarit në sektorin publik. Me këto propozim ndryshime të ligjeve që u miratuan në shkurt e që duhet të hyjnë në fuqi në 2015, shqiptarët përfundimisht duhet ti thonë lamtumirë administratës. Do mbeten disa vetëm për dekor, shteti më në fund do të flasë vetëm maqedonisht , a SZMO-së i merret edhe i vetmi rol që ia kishin caktuar me këto ligje, ai i vëzhguesit pasiv të procesit të punësimeve, tani as për këtë s’do e pyesë më askush Me këtë ligj i jepet goditja përfundimtare Marrëveshjes së Ohrit, pas goditjeve që pësuan nga këta të BDI-së edhe gjuha shqipe, flamuri kombëtar, decentralizimi i pushtetit , pas diskriminimit ekonomik, kulturor ,arsimor e gjithandej në çdo sfere”, vlerësoi Fazliu.

Ai shtoi se me këtë ligj goditet drejtpërdrejt përfaqësimi i drejtë në institucionet shtetërore dhe publike, kjo do të thotë që me këtë ligj, praktikisht këta e vdesin Marrëveshjen e Ohrit.

Prandaj Fzliu kërkoi që për këto ligje duhet ulur si për shume çështje të tjera dhe ato duhet të sillen përmes dialogut dhe konsensusit të plotë . Këtij ligji I duhen bërë ndryshime thelbësore dhe shumë të rëndësishme, pasi përmes këtij ligji, bëhet reformimi I plotë I administratës, depolitizimi dhe departizimi i saj dhe përmes këtij ligji duhet të synohet të arrihet sa më shpejtë përfaqësimi I drejtë dhe adekuat në administratë dhe kjo bëhet vetëm duke e vendosur si gjuhë pune të folur dhe të shkruar për administratën, edhe shqipen edhe maqedonishten.