Home LAJME Europarlamenti propozon ndërprerjen e negociatave për anëtarësimin e Turqisë

132547737

Negociatat për inkuadrimin e Turqisë në Bashkimin Evropian duhet të ndërpriten, nëse ndryshimet e propozuara të Kushtetutës së vendit vazhdojnë, porositën sot eurodeputetët me miratimin e Rezolutës në Komitetin për Punë të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, në vlerësimin vjetor për progresin e reformave në Turqi thuhet se duke e pasur parasysh rezultatin e referendumit kushtetues i cili u bë para ca kohësh dhe zgjerimin e autorizimeve presidenciale, Komiteti për punë të jashtme i PE-së i bën thirrje Komisionit Evropian dhe qeverive nacionale të Bashkimit Evropian “në mënyrë formale t’i ndërpresin negociatat me Turqinë, pa anulim, nëse paketa e reformave kushtetuese zbatohet e pandryshuar”.

Eurodeputetët vlerësuan se viti 2016 ishte vit i vështirë për Turqinë, si rezultat i luftës në Siri, valës së refugjatëve, sulmeve terroriste dhe përpjekjes për grusht shtet dhe në këtë kontekst, ata e dënuan tentimin për grusht shtet dhe shprehën solidaritetin me njerëzit nga Turqia.

Rezoluta për Turqinë e pranon rëndësinë e marrëdhënieve të mira midis BE-së dhe Turqisë dhe mbajtjen e dialogut konstruktiv dhe të hapur i cili është kyç për zgjidhjen e sfidave të përbashkëta, siç janë migrimi, siguria apo terrorizmi.

Eurodeputetët propozojnë që të zhvillohet unioni doganor midis BE-së dhe Turqisë, me atë që të drejtat e njeriut dhe liritë themelore do të jenë pjesë e marrëveshjes së re.

Megjithatë, europarlamentarët vlerësojnë se masat e ndërmarra si përgjigje ndaj përpjekjes për grusht shtet janë joproporcionale në Turqi dhe atyre ju vjen keq për largimin e nëpunësve shtetërorë, që ndodh në përmasa të mëdha, si dhe për arrestimin e gazetarëve, gjykatësve dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe për mbylljen e mediave, shkollave dhe universiteteve.

Eurodeputetët në Komitet janë të brengosur për shkak të mosrespektimit të qeverisjes të së drejtës, të të drejtave të njeriut dhe lirive të mediave dhe për shkak të largimit nga lufta kundër korrupsionit në Turqi.

Ata e dënojnë mbështetjen e deklaruar për vendosjen e sërishme të dënimit me vdekje nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, që sipas tyre, do të vejë nën pikëpyetje anëtarësimin e Turqisë në Këshillin e Evropës dhe do të çojë drejt ndërprerjes urgjente të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Ndryshe, Rezoluta për Turqinë në Komitetin për punë të jashtme të Parlamentit Evropian u miratua me 51 vota “për”, kundrejt vetëm tre “kundër” dhe 14 të përmbajtur. Parlamenti Evropian duhet të votojë për këtë dokument në seancën plenare të radhës në Strasburg në korrik.