Home LIFESTYLE Ergys Kace transferohet ne Shqiperi ?

Skënderbeu projekton një goditje “big” në merkato. Korçarët po tentojnë që të rikthejnë në vendlindje Ergys Kaçen. Duket si e pamundur, megjithatë drejtuesit kanë nisur të mendojnë seriozisht për këtë “operacion”, që mund të mbyllet në formë huazimi dhe vetëm për 6 muajt e ardhshëm.

Kriza në rezultate detyron bardhekuqtë që të bëjnë lëvizje të mëdha për të tentuar titullin e shtatë radhazi. Dhe, nëse kjo ëndërr do të realizohej, atëherë më në fund “gropa” e mesfushës do të gjente qetësi që pas largimit të kapiten Shkëmbit.

Burime të besueshme në klub flasin për një hipotezë të mundshme, që për disa arsye mund të përmbyllet me sukses. Mesfushori korçar i Kombëtares ka mbyllur përfundimisht aventurën e tij si i huazuar te Viktoria Plzen, pas sherrit që pati me trajnerin e çekëve. Kaçe vijon ende të jetë në pronësi të PAOK-ut të Selanikut, atje ku është rikthyer që pas përvojës në Çeki.

Por edhe me grekët nuk është se raportet janë aq të mira. Ata nuk e kanë në plane edhe për pjesën e mbetur të sezonit, ndaj rrugëzgjidhje shihet sërish huazimi. Kështu që skuadra e Selanikut duket mjaft e interesuar për t’i gjetur një “shtëpi” të re korçarit. Për momentin, në drejtim të tij nuk ka shumë ekipe të interesuara dhe fakti që huazimi brenda Greqisë bëhet i vështirë për shkak se ai llogaritet si ektrakomunitar, i jep shpresa Skënderbeut për të realizuar me sukses huazimin e tij.

Korça mund të ishte një zgjedhje e mirë jo vetëm për Kaçen që do të luante rregullisht, por edhe për PAOK-un, që do nuk do lirojë një vend nga të huajt që ka në organikë. Terreni duket më shumë se i përshtatshëm, megjithatë pengesa e vetme mbetet rroga e tij e lartë. Skënderbeu po bën gjithçka mundet për “bombën” e merkatos dhe një afrim i tillë do të ishte garanci për titull.