Home LAJME Edi Rama pret kryepeshkopët ortodoksë, sulmon ashpër serbin Irinej!

Gjatë pritjes së rezervuar për kryepeshkopët që morën pjesë në shenjtërimin e katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, kryeministri Edi Rama vlerësoi ngjarjen si një ditë të shënuar për Tiranën dhe si një konfirmim i standardeve për harmoninë fetare në Shqipëri.

Por burime nga kryeministria i thanë gazetës TemA se Rama ka qenë i ashpër në vlerësimet e tij për kryepeshkopin Irenej, i cili sipas tij tentoi të prishë paqen dhe harmoninë që solli një ngjarje e tillë.

Rama citohet të ketë thënë në takim se “ju po ikni duke i lënë Tiranës një vepër që i bën nder, kurse kolegu juaj një debat që bën me turp një përfaqësues fetar”.

Kryepeshkopi Janullatos ka shmangur komentet për këtë çështje, por Rama ka këmbëngulur tek përdorimi i rrezikshëm politik dhe etnik i kësaj ngjarjeje nga Irinej.

I ftuar në Tiranë për shenjtërimin e katedrales ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, së bashku me drejtuesit e tjerë më të lartë të fesë ortodokse, Patriarku i Serbisë, Irenej, komentoi reagimet lidhur me vizitën e tij në Shqipëri.

Duke iu referuar rolit të kishës serbe në marrëdhëniet e shtetit për çështjen e Kosovës, ai theksoi se “krahina e Kosovës është pjesa më e shenjtë për popullin serb”.

“Në këto vise jetojnë një numër shumë i madh shqiptarësh, por kjo nuk është vetëm tani.

Ne më shqiptarët kemi jetuar në shekuj. Asnjëherë nuk kemi pasur probleme midis dy popujve tanë. Ato që po ndodh në këto kohëra midis nesh, pra shkëputja e Kosovës dhe krijimi i një shtetit të pavarura nga Serbia, ne na rëndon shumë. Kosova dhe Metohija për ne serbët është pjesa më e shenjte, aty është zhvilluar e gjithë historia e popullit tonë. Është zhvilluar kultura dhe ana jonë shpirtërore.

Numri i madh i shenjtorëve që ne ndërtojmë në Kishën tonë është nga kjo krahinë. Rezidenca e Patriarkanës Serbe faktikisht është në Pejë dhe i bie që Rezidenca e Patriarkanës Serbe të jetë në një shtet tjetër dhe jo në Serbi. Këtë ne nuk mund ta pranojmë dhe ta kuptojmë. Ne jemi të gatshëm që të gjejmë një zgjidhje të drejtë që të dyja palët të jenë të kënaqura.

Nëse ne kemi jetuar me shekuj bashkë, pse të mos vazhdojmë të jetojmë përsëri bashkë. Një tjetër problem është se për rreth 200 -250 mijë serbë u është dashur që të lënë shtëpitë e tyre dhe të largohen nga Kosova dhe Metohija dhe nuk e kuptojmë pse ky popull nuk mund të kthehet në shtëpitë e veta, atje ku me qindra vjet kanë jetuar dhe të ketë një jetë normale midis dy popujve tanë”, u shpreh Irenej.

Pa e përmendur në asnjë moment gjurmën më të fundit të dhunës serbe në Kosovë, varrezën masive të Rashkës, por duke cituar vetëm dëmtimet që i janë bërë sipas tij varreve serbe, patriarku Irinej i mëshon idesë së kthimit të të larguarve si një zgjidhje të mundshme të situatës.