Home LAJME Edhe Milani pas Adnan Januzajt

Paraqitjet e mira të tij dhe dygolëshi i parë në karrierë kundër Sunderland në PremierLeague si titullar me Manchester Junited, bëri që Adnan Januzaj të jetë në qendër të vëmendjës në të gjitha mediat evropiane.

Djajtë e kuq janë vënë para presionit të madh, pasi klubet më të mëdha në Evropë, angleze, spanjolle por edhe italiane, janë mrekulluar nga cilësitë e Januzajt dhe janë gati t’i ofrojnë kontratë marramendëse. Së fundmi në skenë ka dalë edhe AC Milan, që kërkon ta joshë djaloshin kosovar që të veshë fanellën kuqezi, duke ndjekur shembullin e Juventusit, që më shumë se një vit më parë ia rrëmbeu nga duart Sir Alex Fergusonit francezin Paul Pogba.

Kampionët e Anglisë i kanë ofruar Januzajt 15 mijë funte në javë, plus 1.200 funte për ndeshje, plus 6000 të tjera për çdo takim të fituar, por duket kjo ofertë nuk e kënaqi menaxherin e lojtarit. Në këtë situatë kërkojnë të përfitojnë gjigantët evropian, që janë gati t’i ofrojnë një kontratë më të majmë adoleshentit me pasaportë belge, ku sigurisht më të favorizuara janë ato angleze.

Ndërkohë mbi Januzajn po ushtrohet presion edhe sa i përket zgjedhjes së tij rreth kombëtares që do të përfaqësojë në të ardhmen. Belgjika e kualifikuar në Botëror tashmë ia ka bërë ftesën, Shqipëria e pret prej kohësh, ndërkohë që një debat i mprehtë ka shpërthyer edhe në Angli mbi mundësinë e aktivizimit të tij me kombëtaren e albionëve.