Home LIFESTYLE E dini se makina ju përgjon?

Ndoshta ju nuk e keni menduar kurrë, por makina juaj di gjithçka për ju. Ekspertët e huaj kanë zbuluar se automjeti që përdorni spiunon gjërat që bëni në përditshmëri.

Prodhuesit e automjeteve janë në gjendje që të gjurmojnë vendndodhjen e makinës suaj, me çfarë shpejtësie lëvizni, çfarë muzike dëgjoni. Dhe e gjithë kjo ndodh përmes sistemeve të mjetit të lidhura me internetin që përdoret në automjetet moderne. Makinat e prodhimit më të fundit mund të regjistrojnë gjithashtu lëvizjet e syrit të shoferit, të dinë peshën e saktë të personave që ulen në dy sediljet e para dhe shumë gjëra të tjera të ngjashme.

Ekspertët thonë se makinat moderne mbledhin të dhëna të mjaftueshme rreth profilit të shoferëve, përmes shenjave të tyre të gishtërinjve. Kujtojmë këtu se automjetet e reja kanë teknologjinë e skanimit të gishtit.

Nga një studim i ABI Research, janë 78 milionë makina në rrugë që kanë teknologjinë e internetit dhe janë të lidhura gjithë kohës. Përllogaritet që brenda 3 viteve të ardhshme, 98% e makinave të reja që do të shiten në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara do të jenë të lidhura me internetin, sipas firmës së kërkimeve në teknologji “Gartner”.